Policia nuk i ndahet protestuesve. Forca të shumta policore po ndjekin një grup të rinjsh në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, ndërsa e gjithë zona e Pazarit të Ri, është blinduar nga uniformat blu. Gjithashtu zona e qendrës së Tiranës është blinduar nga dhjetra forca policore, veçanërisht ajo te Ushtari i Panjohur dhe sheshi Skënderbej.
Protestuesit janë ndarë në disa grupe duke tentuar të çorientojnë forcat e policisë, por edhe këto të fundit duket se kanë ndryshuar strategji, pasi me forca të shumëfishuara nuk po i lënë hapësira grupeve të të rinjve që të qarkullojnë.

Forcat e policisë janë ndarë në disa grupe, që ndjekin këmba këmbës të rinjtë protestues, ndoshta me synimin për t’i bllokuar ato, duke i zënë në zona, që nuk kanë mundësi të largohen apo t’i shpëtojnë ndalimit.
Në dallim nga ditët e mëparshme, në orët e pasdites së të martës, forcat e rendit po lëvizin në mënyrë më të organizuar, teksa në ndihmë të tyre janë autobotët që hedhin ujin me presion.

Në aksionin policor janë trupat e FNSH dhe ato Shqiponja, ndërsa grupet e protestuesve janë ndarë në të paktën 5 grupe më të vogla, që u ndanë në 5 drejtime.


