Pasi fitoi ‘Topin e Artë’, Kane përgatit dhurata luksoze për yjet e Bayernit dhe Anglisë

Harry Kane u ka bërë një premtim të veçantë bashkëlojtarëve të tij te Bayern Munich dhe Kombëtarja e Anglisë, pasi të hënën fitoi “Topin e Artë”.

Pas një viti të jashtëzakonshëm me klubin dhe kombëtaren, Kane e fitoi për herë të parë këtë çmim prestigjioz, duke lënë pas Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.

Sulmuesi anglez e mori çmimin në qytetin e tij të lindjes dhe mbajti një fjalim emocionues, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e tij drejt majës së futbollit botëror.

Gjatë vitit 2026, sulmuesi 33-vjeçar shënoi plot 61 gola në 51 paraqitje në të gjitha garat me Bayern Munichun, ndërsa realizoi edhe 12 gola me Kombëtaren e Anglisë, në total 73.

Kane e festoi suksesin me një mbrëmje të veçantë në një klub nate në lagjen Soho, ndërsa tani, besnik i modestisë që e karakterizon, synon ta ndajë këtë arritje me bashkëlojtarët e tij.

Kapiteni i Anglisë ka konfirmuar se planifikon t’u dhurojë dhurata futbollistëve të Bayern Munich dhe kombëtares, si shenjë falënderimi për kontributin e tyre në këtë sukses historik. Mes dhuratave të mundshme përmenden edhe orët luksoze.

“Disa nga djemtë më kanë kërkuar orë apo diçka të ngjashme, kështu që do të më duhet të gjej diçka të bukur për ta, si te Bayerni, ashtu edhe te Anglia. Do ta shqyrtoj këtë mundësi dhe do të sigurohem që secili të marrë një dhuratë të bukur”, ka thënë Kane.

Vetë Harry Kane u shfaq në ceremoninë e “Topit të Artë” me një orë jashtëzakonisht të rrallë, Rolex Daytona, vlera e së cilës arrin afër 1.2 milionë euro.

Me këtë triumf, Kane bëhet fituesi i gjashtë anglez i “Topit të Artë”, duke ndjekur gjurmët e Sir Stanley Matthews, Sir Bobby Charlton, Kevin Keegan dhe Michael Owen.