Partizani ka bërë lëvizjen e radhës në merkato, duke zyrtarizuar afrimin e mesfushorit ofensiv Sebastjan Spahiu.
Klubi kryeqytetas ka njoftuar marrëveshjen me futbollistin 26-vjeçar përmes një komunikimi në rrjetet sociale, vetëm një ditë përpara përballjes së rëndësishme me Tiranën.
Spahiu i bashkohet skuadrës së kuqe si lojtar i lirë, pa kosto transferimi, ndërsa ka firmosur një kontratë dyvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Futbollisti shkodran vjen te Partizani pas eksperiencës së fundit me Shkëndijën e Tetovës, ku ishte pjesë e një skuadre që u aktivizua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Në njoftimin zyrtar, klubi kryeqytetas ka bërë të ditur se në realizimin e këtij transferimi ka ndihmuar edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj. Ndërkohë, prezantimi i lojtarit është kryer nga presidenti i klubit, Gazment Demi.
Mesfushori ka luajtur më parë për disa skuadra, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe jashtë vendit. Në Spanjë, ai ka qenë pjesë e CD Guijuelo dhe CD Izarra, ndërsa në Shqipëri ka veshur fanellat e Laçit dhe Egnatias.
Spahiu ka regjistruar gjithashtu një paraqitje me Kombëtaren shqiptare. Debutimi i tij erdhi më 10 shtator 2024, në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, në periudhën kur përfaqësuesja drejtohej nga Sylvinho.


