Nicolò Fagioli përcjell imazhin e një njeriu tejet të përmbajtur, thuajse të ndrojtur. Këtë e tregon qëndrimi i trupit, toni i zërit, mënyra si i zgjedh fjalët, por edhe sytë, që i ngushtohen sa herë nis të rrëfehet.
Dhe mesfushori i Fiorentinës ka shumë për të treguar, sidomos tani që ka rifituar vendin në kombëtaren italiane, duke përmbushur kështu një nga dy objektivat e tij madhorë. Tjetri, edhe më i rëndësishëm, ishte ta linte përfundimisht pas krahëve historinë e rëndë që, kur ishte vetëm 23 vjeç, rrezikoi t’i shkatërronte gjithçka.
Katër vite më parë, në intervistën e parë për Sportëeek, u prezantove si një 21-vjeçar me shumë perspektivë. Kush është sot Nicolò Fagioli?
‘Pa dyshim, një djalë që është rritur. Si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj, ku kam kaluar edhe përmes disa gabimeve. Tani ka ardhur koha të sillem si një burrë i vërtetë. Aq më tepër që në Firence, një qytet ku të japin shumë dhe të cilit duhet t’ia kthesh me të njëjtën masë, ndihem shumë mirë’.
Ta heqim që në fillim këtë temë nga rendi i ditës?
‘Po’.
Atëherë, nga tetori i vitit 2023 deri në majin e vitit 2024 janë shtatë muaj që nisin me vetëdenoncimin tënd për përfshirje në baste sportive, vijojnë me pezullimin përkatës dhe përfundojnë me rikthimin në fushë. Kur e kujton atë periudhë, cila është pamja e parë që të vjen ndër mend?
‘Ishte e çuditshme, sepse që gjashtë muaj më parë e dija se do të pezullohesha, por, pavarësisht kësaj, vazhdova të luaja. I jam mirënjohës Juventusit dhe Allegrit, të cilët ishin në dijeni të situatës dhe më qëndruan pranë. Para çdo ndeshjeje, trajneri më pyeste: ‘A ndihesh gati për të luajtur?’. Dhe unë i përgjigjesha gjithmonë: ‘Po, dua të luaj’. Nga shtatë muajt që qëndrova jashtë fushave, i pari ishte vërtet i vështirë, sepse nuk isha mësuar të rrija larg futbollit. Gjatë gjashtë muajve të tjerë, përkundrazi, u ndjeva mirë, të paktën në fillim. E di, një futbollist është vazhdimisht i zhytur në atë ciklin e përditshëm pa fund: stërvitje, ndeshje, stërvitje. Unë pata mundësinë të shkëputesha pak nga kjo rutinë dhe kënaqesha duke parë shokët e skuadrës teksa luanin. Më ndihmoi shumë fakti që mund të stërvitesha me ekipin gjatë javës, përveç ditëve menjëherë para ndeshjeve, kur vrapoja ose bëja ushtrime në palestër i vetëm. Me pak fjalë, ishte një periudhë sigurisht e vështirë, por gjatë së cilës arrita të gjeja edhe diçka pozitive’.
Cili ishte mendimi yt i fundit para se të flije atëherë dhe cili është sot?
‘Atëherë, mendimi im i fundit ishte të kthehesha sa më shpejt në fushë. Para pezullimit shpresoja të merrja dënimin më të lehtë të mundshëm, ndërsa më pas lutesha që të rikthehesha sa më parë. Tani, para se të fle, mendoj për atë që më pret të nesërmen, për gabimet që kam bërë gjatë ditës që sapo ka përfunduar dhe për aspektet ku mund të përmirësohem’.
Ke thënë se ka ardhur koha të bëhesh burrë. Mendon se ende nuk je mjaftueshëm i pjekur?
‘Në mendjen time mbetem ende një djalosh. Më pëlqen shumë të argëtohem, të kaloj kohë me familjen, të dashurën dhe miqtë. Nuk më pëlqen mërzia dhe as të rri vetëm. Por e kuptoj se duhet të bëhem më i përgjegjshëm, si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve. E njëjta gjë vlen edhe në fushë: në stërvitje dhe në ndeshje dua të jem një pikë referimi për trajnerin, klubin dhe shokët e skuadrës. Edhe jashtë fushës’.
A ndikon në këtë aspekt edhe roli yt në fushë? Fakti që luan si mesfushor qendre, në rolin e organizatorit të lojës, të ngarkon me përgjegjësinë për të udhëhequr shokët e skuadrës dhe për të diktuar ritmin e lojës?
‘Patjetër. Më pëlqen shumë ta kem topin në këmbë dhe të nis aksionet e skuadrës’.
Gjatë periudhës së pezullimit, vendose të rrëfeje luftën tënde kundër varësisë nga lojërat e fatit. Në atë kohë the: “E bëj edhe për të ndihmuar të tjerët”. Ta sugjeroi dikush apo ishte vendimi yt, për t’u çliruar nga një barrë që mbaje mbi supe?
‘Le të themi se ma propozuan. Në fillim nuk isha shumë dakord, por, pasi e mendova më mirë, kuptova se ishte diçka e dobishme. Të paktën kështu shpresoj, për dikë’.
Çfarë të frikësonte gjatë viteve kur vijoje të luaje baste dhe çfarë të frikëson sot, nëse ka diçka?
‘Në të vërtetë, atëherë nuk i mendoja fare pasojat. Nuk kisha frikë nga asgjë, madje as nga mundësia e pezullimit. Nga padija, nuk mendoja për asgjë. Sot nuk e di… Më duket e tepruar të flas për frikë. Ja, mendoj se çdo vit që kalon është një vit më shumë në karrierë. Nuk po them se e shoh fundin e karrierës, sepse jam vetëm 25 vjeç, por e kuptoj që nuk jam më 18 apo 20 vjeç. Prandaj, me kalimin e çdo viti shtohen përgjegjësitë dhe duhet të bëj më shumë’.
Ke thënë: “Problemi me ne futbollistët është se kemi shumë kohë të lirë dhe mërzia na pushton, duke na çuar në rrugë të gabuar”. Si e kalon sot pjesën tjetër të ditës pas stërvitjes? Mos më thuaj se shkon nëpër muze…
‘Jo, jo. Para së gjithash, tani kaloj shumë më tepër kohë në fushat stërvitore. Mbërrij këtu në orën 08:00 ose 08:30 të mëngjesit dhe kthehem në shtëpi rreth orës 15:30 ose 16:00. Më parë qëndroja në qendrën stërvitore tre-katër orë më pak. Në shtëpi kaloj kohë me të dashurën, qenin dhe prindërit, kur vijnë për vizitë. Gjatë verës luaj tenis ose padel, sepse më pëlqen sporti. Gjëra fare të zakonshme, por që më argëtojnë’.
Sa numra telefonikë ke fshirë nga kontaktet gjatë skualifikimit?
‘Shumë’
Edhe numra të njerëzve që mendoje se i kishe miq, por që u larguan pikërisht atëherë kur kishe më shumë nevojë për ta?
‘Në fakt, jo. Në këtë drejtim kam qenë me fat. Përkundrazi, zbulova se kishte njerëz që nuk e kisha menduar se do të ishin kaq të pranishëm në jetën time, por që, në të vërtetë, më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë’.
A zbulove te vetja ndonjë cilësi të mirë që nuk e mendoje se e kishe?
‘Gjatë procesit të punës me psikologun, zbulova se jam shumë i ndjeshëm, por edhe shumë zemërmirë. Ndonjëherë, të qenit zemërmirë nuk të çon gjithmonë në drejtimin e duhur, sidomos në botën e futbollit, sepse ka plot njerëz që janë gjithmonë të gatshëm të përfitojnë nga ty’.
A ka ndonjë cilësi tënden që ke mësuar ta vlerësosh, ndërkohë që më parë e kishe të vështirë ta pranoje?
‘Në fakt, jo. Nuk ka pasur kurrë diçka tek vetja ime që nuk e duroja. Gjatë viteve kur luaja baste, isha i kënaqur me gjithçka tek vetja. Madje, as nuk e kuptoja që po bëja gabim, por kjo nuk do të thotë se e urreja veten. Edhe tani, që i kam kuptuar gabimet e mia, nuk e urrej veten për atë që kam bërë’.
Cili është momenti kur ndihesh plotësisht i gjallë?
‘Kur luaj futboll. Gjatë ndeshjes nuk mendoj për asgjë tjetër përveç lojës, për atë që duhet të bëj për të mposhtur kundërshtarin, dhe e shijoj çdo çast. Zhurmat sikur zhduken krejtësisht. Është njësoj sikur të luaja në një stadium bosh, pa tifozë, vetëm unë dhe shokët e skuadrës, duke kërkuar fitoren’.
A i ke bërë vetes ndonjë premtim që ende nuk e ke mbajtur?
‘Jo. I vetmi premtim që i kisha bërë vetes kishte të bënte me rikthimin në kombëtare, ku nuk isha thirrur më që pas grumbullimeve nga Spalletti, menjëherë pas përfundimit të pezullimit. I thashë vetes se do të bëja gjithçka për t’u rikthyer’.
A ke lexuar ndonjë libër apo biografi të një sportisti që të ka frymëzuar dhe të ka ndihmuar të ringrihesh?
‘Po, biografinë e Djokovic, të cilin e konsideroj një kampion legjendar, jo vetëm në tenis, por në sportin botëror në përgjithësi. Në libër përmendej fjala ‘inat’, që përmbledh dëshirën për të luftuar dhe për të mos u dorëzuar kurrë, një tipar karakteristik i popullit serb. Më bëri shumë përshtypje dhe, po, më frymëzoi’.
Vanoli është rikthyer, të ka besuar çelësat e Fiorentinës dhe menjëherë kemi parë sërish organizatorin e lojës që ndërton aksionet, dikton ritmin dhe lidh repartet. A ke nevojë të jesh në qendër të vëmendjes, edhe në kuptimin figurativ e jo vetëm për pozicionin që ke në fushë? Me pak fjalë, a ke nevojë të ndihesh i rëndësishëm?
‘Patjetër. Kam nevojë për besimin e trajnerit dhe të klubit’.
Çfarë të thotë Vanoli që nuk ta thonë trajnerët e tjerë?
‘Kur erdhi, një vit më parë, ma tha menjëherë troç në sy: ‘Të gjithë thonë se je një lojtar i klasit të lartë, një fenomen, por, në fund të fundit, çfarë ke bërë kaq të rëndësishme që të të përshkruajnë në këtë mënyrë?’. Ato fjalë më prekën diçka brenda vetes. Muajin e parë nuk luajta shumë. U përkushtova maksimalisht, punova fort dhe fitova vendin në formacion. Objektivi, sigurisht, është të mos e humbas më’.
Blerja e Oulai, një rival i drejtpërdrejtë për vendin tënd në mesfushë, si dhe disa ndeshje miqësore të verës të kaluara në stol, të kishin bërë të mendoje edhe për mundësinë: “Të qëndroj apo të largohem nga Firence”…
‘Kur në mesfushë afrohen lojtarë si Oulai apo Atta, është e qartë se konkurrenca rritet. Por është e vërtetë që gjatë ndeshjeve miqësore të verës kisha luajtur pak dhe kjo më kishte lëkundur disi. Megjithatë, mendja më thoshte të qëndroja këtu, sepse Firence është një qytet që, sapo lufton për një objektiv madhor, të jep një shtysë të jashtëzakonshme’.
Përshtypja është se kjo skuadër është simpatike, luan bukur dhe ka shumë futbollistë që dinë ta trajtojnë topin, por, pikërisht këtu qëndron problemi: i mungon disi pesha, konkretizimi dhe grinta. Është një vlerësim tepër i ashpër?
‘Kanë ndryshuar shumë lojtarë dhe në fillim nuk është kurrë e lehtë të krijosh grupin, sidomos kur shumë prej tyre janë të huaj. Kanë ardhur futbollistë vërtet të fortë dhe kemi mundësinë të bëhemi një skuadër e madhe. Do t’ia dalim nëse arrijmë të bëhemi ekip sa më shpejt. Por në Serie A nuk mjafton cilësia: duhet të vraposh për shokun e skuadrës dhe të sakrifikosh për ekipin’.
Me Mastantuonon bëni gara në stërvitje se kush e dërgon më shpesh topin në trekëndëshin e portës?
‘Franco më ka bërë shumë përshtypje. Nuk ka nevojë ta përshkruaj si futbollist, sepse vjen nga Real Madridi dhe te Reali nuk shkon rastësisht. Por është edhe një djalë shumë i mirë, modest dhe i qetë. Kalojmë mirë bashkë. E vetmja pikë e dobët e tij është se nuk është edhe aq i zoti në pingpong, pasi e mund gjithmonë. Por, me raketën në dorë, janë të paktë ata që janë më të mirë se unë’
Çfarë cilësie do të doje të kishe nga Modrić?
‘Gjithçka, sidomos mënyrën si e godet topin me pjesën e jashtme të këmbës. Që kur u tërhoq Pirlo, Modrić është idhulli im. Kam pasur fatin ta takoj si në kombëtare, ashtu edhe te Milani. I thashë se është idhulli im dhe ai buzëqeshi’.
Po nga Pirlo, çfarë do të doje të kishe?
‘Teknikën e goditjes së topit, elegancën dhe aftësinë për të dhënë pasime të gjata. Por mbi të gjitha, aftësinë për të ekzekutuar goditjet e dënimit nga afër zonës’.
Po nga Rodri?
‘Aftësinë për të rikuperuar topin, inteligjencën dhe qetësinë’.
Nicolò, a e ke falur veten? A je pajtuar me veten?
‘Po. Kam gabuar, por të gjithë gabojnë. Gabimi im bëri më shumë bujë, sepse jetoj në një botë ku gjithçka zmadhohet. Por nuk i kam bërë keq askujt tjetër përveç vetes’.


