Drejtuesit e opozitës izraelite kanë reaguar ndaj exit poll-eve të zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, duke i interpretuar rezultatet paraprake si një refuzim të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Yair Lapid, një nga figurat kryesore të opozitës, e cilësoi rezultatin një humbje të rëndë për koalicionin qeverisës, pavarësisht se ende nuk është e qartë nëse opozita do të arrijë të formojë një qeveri të re.
“Që të mos ju ngatërrojnë: blloku i Netanyahut pësoi një humbje të rëndë”, shkroi Lapid në rrjetet sociale. “Kjo është një shembje e plotë dhe publiku u tha të largohen”, shtoi ai.
Edhe adi Eisenkot, ish-shefi i ushtrisë izraelite dhe drejtuesi i partisë Yashar, reagoi pas publikimit të projeksioneve që e vendosin bllokun e tij përpara koalicionit të Netanyahut.
Sipas Eisenkot, rezultatet “shprehin një humbje të plotë të besimit ndaj Netanyahut” dhe qeverisë së tij.
“Nëse këto janë rezultatet përfundimtare, ato do të përbënin një fitore”, deklaroi ai.
Eisenkot shtoi se do të veprojë pa vonesë për të përmbushur vullnetin e shprehur nga qytetarët për zëvendësimin e qeverisë së Netanyahut.
Sipas tri exit poll-eve të televizioneve KAN 11, Channel 12 dhe Channel 13, blloku i Netanyahut parashikohet të marrë 50 mandate, ndërsa opozita e drejtuar nga Eisenkot 52–53. Partitë arabe projektohen të sigurojnë 17-18 vende.
Megjithëse forcat jashtë koalicionit qeverisës kanë së bashku 70 mandate, ato nuk përbëjnë një aleancë të unifikuar. Dallimet politike mes partive opozitare dhe qëndrimet ndaj bashkëpunimit me partitë arabe mbeten pengesa për formimin e një qeverie.


