E ardhmja e Michael Carrick në stolin e Manchester United mund të përcaktohet në orët e ardhshme. Sipas zërave që vijnë nga Anglia drejtuesit e Djajve të Kuq parashikojnë zhvillimin e një takimi për të analizuar situatën e trajnerit dhe për të vendosur nëse do të vazhdojë në postin e tij apo jo.
Manchester United është në një situatë delikate dhe humbja 3-0 ndaj Bournemouth e ka kompromentuar ndjeshëm pozitën e trajnerit. Djajtë e Kuq janë vetëm 1 pikë para skuadrave të zonës së rënies nga kategoria dhe kjo situatë e ka rritur shqetësimin e drejtuesve të klubit në lidhje me rendimentin e skuadrës dhe perspektivës së saj për pjesën e mbetur të sezonit.
Zëvendësimi i mundshëm i trajnerit do të ishte një kapitull i ri i destabilitetit që po karakterizon Manchester United në sezonet e fundit. Klubi legjendar anglez po përpiqet prej vitesh që të rifitojë prestigjin sportiv dhe të konkurrojë për tituj të rëndësishëm.
Mes emrave që po lakohen si kandidatë për të marrë drejtimin e Manchester United spikat ai i Eddie Howe, trajneri aktual i Newcastle. Sipas informacioneve, eksperienca e tij në Premier League dhe karriera në futbollin britanik e vendosin atë mes kandidaturave kryesore që mund të ulen në stolin e Djajve të Kuq.
Një tjetër kandidat është Julian Nagelsmann, ish trajneri i kombëtares gjermane, por që më parë ka drejtuar edhe Bayernin e Mynihut. Por në këtë rast gjithçka do të varet nga rrethanat kontraktuale dhe sesa i realizueshëm është ky operacion.
Në këtë moment, mbledhja e bordit drejtues do të jetë shumë e rëndësishme për të qartësuar të ardhmen e Carrick, por ende nuk është konfirmuar shkarkimi i tij e për më tepër nuk është arritur asnjë marrëveshje me asnjë prej kandidatëve. Vendimi përfundimtar do të varet nga vlerësimi që do të bëjë klubi ndaj situatës sportive dhe objektivave të vendosura për këtë sezon.


