Nga 1 maji do të fillojë linja ajrore nga Tivari deri në Shkup e cila në fillim do të qarkullojë dy herë në javë.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kjo do të kontribuojë jo vetëm për rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe për rritje të turizmit dhe ekonomisë.
“Ajo që diskutuam 20 ditë më parë gjatë vizitës sonë në Mal të Zi po realizohet. Shpresoj që kjo linjë ajrore do të kontribuojë seriozisht në rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe në rritjen e turizmit dhe biznesit. Shpresoj që shumë njerëz do ta përdorin këtë linjë ajrore”, tha Nikolloski në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviç.
Në takim, dy zëvendëskryeministrat biseduan edhe për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe u morën vesh që vitin e ardhshëm të mbahet forum i madh biznesi i kompanive nga të dyja vendet.


