Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka deklaruar se Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar strategjik, transmeton Anadolu.
Nufi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Turqi, ndërkohë është pritur me ceremoni nga ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi ka theksuar se sot në Ankara gjatë takimit zyrtar ministrin Guler nënvizuan bashkërisht nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin në mbrojtje e siguri në fusha me interes të ndërsjellë.
“Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar strategjik, të mbështetur në lidhje të forta historike dhe njerëzore, në anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe në ambicien e rritjes së bashkëpunimeve të qëndrueshme. Forcojmë përpjekjet e përbashkëta me Turqinë mike në modernizimin e FARSH (Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë), zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë në përputhje me standardet e NATO-s”, është shprehur Nufi.
Ai ka theksuar ndër të tjera se dy vendet shohin potencial investimi të kompanive turke dhe ndërmarrjeve të përbashkëta në industrinë shqiptare të mbrojtjes.


