Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot mori pjesë si panelist në diskutimin e organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, me temë “Marrëveshja e Ohrit dhe brezi që nuk pret: 25 vjet që lamë pas, 25 vjet që kemi përpara”.
Gjatë diskutimit, ministri Ferati bëri një retrospektivë të zhvillimeve historike dhe politike që shënuan 25 vitet e fundit, duke vlerësuar rolin e Marrëveshjes së Ohrit në ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve. Ai theksoi se periudha që kemi përpara kërkon një qasje të re, të orientuar drejt forcimit të besimit ndërmjet komuniteteve, ndërtimit të dialogut me të gjitha palët dhe ngritjes së zbatimit të ligjit dhe sundimit të së drejtës në një nivel më të lartë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua investimit në gjeneratat e reja, përmes arsimit cilësor dhe zhvillimit të kuadrove profesionale, të afta për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shpejta të tregut të punës. Ministri Ferati theksoi rëndësinë e përgatitjes së të rinjve për ekonominë e së ardhmes, ku digjitalizimi, inovacioni dhe eksporti i shërbimeve intelektuale do të jenë ndër faktorët kryesorë të konkurrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik.
Diskutimi përcolli mesazhin se, ndërsa 25 vitet e kaluara ishin vendimtare për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, 25 vitet e ardhshme duhet të orientuara drejt rritjes së standardit jetësor dhe mundësive më të mëdha për gjeneratat e reja që vijnë pas.


