Milani është shumë pranë zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me Christian Pulisicin, i cili pritet të qëndrojë te kuqezinjtë deri në vitin 2031.
Sipas raportimeve nga Italia, palët kanë arritur marrëveshjen dhe njoftimi zyrtar pritet të bëhet së shpejti, me të enjten që përmendet si data e mundshme.
Sulmuesi amerikan, i cili iu bashkua Milanit në verën e vitit 2023 nga Chelsea, pritet të përfitojë një pagë prej rreth pesë milionë eurosh neto në sezon, plus bonuse.
Rinovimi konfirmon rëndësinë që Pulisic ka fituar në projektin e klubit italian, ku është shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë të repartit ofensiv.
Që nga transferimi në Milano, 27-vjeçari ka regjistruar 141 paraqitje me fanellën kuqezi, duke shënuar 44 gola dhe dhënë 28 asistime, sipas statistikave të raportuara nga mediat italiane.
Kontributi i tij në fazën sulmuese ka bindur drejtuesit e Milanit që ta sigurojnë qëndrimin e tij për një periudhë më të gjatë, duke e konsideruar një element të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës.
Pas një periudhe me vështirësi, Pulisic është rikthyer të jetë vendimtar për kuqezinjtë, duke dëshmuar vlerën e tij në fushë.
Marrëveshja e re do të ishte një tjetër sinjal i qartë i synimeve të Milanit për të ruajtur lojtarët më të rëndësishëm të grupit dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese në vitet e ardhshme.
Për momentin, mbeten vetëm formalitetet përfundimtare përpara se rinovimi i amerikanit deri në vitin 2031 të bëhet zyrtar.


