Maqedonia e Veriut dhe Kosova thellojnë bashkëpunimin, Minçev dhe Jagxhiu nënshkruajnë memorandum

Ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev, dhe ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Lulezon Jagxhiu, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjeve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, raporton Tetovasot.

Memorandumi u nënshkrua në margjinat e konferencës ndërkombëtare “Kosovo PAR 2026”, e mbajtur në Prishtinë, ku në fokus të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe ngritja e kapaciteteve të institucioneve të të dy vendeve.

Ministri Goran Minçev theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional merr vlerë të vërtetë vetëm atëherë kur përvoja dhe njohuritë shndërrohen në zgjidhje konkrete për qytetarët.

“Bashkëpunimi mes institucioneve ka vlerë kur njohuritë ndahen, përvoja shndërrohet në zgjidhje konkrete dhe përfitimet i ndjejnë qytetarët. Besoj se Maqedonia dhe Kosova kanë hapësirë për një partneritet edhe më të ngushtë, përmes të cilit do të shkëmbejmë praktikat më të mira, do të mësojmë nga njëri-tjetri dhe do të krijojmë mundësi të reja për zhvillim profesional”, deklaroi Minçev, raporton Tetovasot.

Sipas memorandumit të nënshkruar, bashkëpunimi do të përfshijë organizimin e trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertëve dhe trajnerëve, hartimin e programeve për zhvillimin e aftësive profesionale dhe menaxheriale, si dhe projekte të përbashkëta në fushën e administratës publike.

Po ashtu, dokumenti parashikon bashkëpunim më të ngushtë në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe pjesëmarrje në iniciativa rajonale, me synim modernizimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët, raporton Tetovasot.

Me këtë memorandum, Maqedonia e Veriut dhe Kosova riafirmojnë angazhimin për ndërtimin e një administrate publike më profesionale, më efikase dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve, përmes shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit institucional.