Kremlini reagoi ashpër ndaj vendimit të Lituanisë për të hequr ndalimin kushtetues të vendosjes së armëve bërthamore në territorin e saj.
Për Rusinë, ky hap mund të çojë drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve në rajon. Parlamenti lituanez i dha dritën jeshile një lëvizjeje të tillë në votimin e parë nga dy të nevojshmet për miratimin e amendamentit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me qëndrimin e Moskës ndaj këtij zhvillimi, si dhe ndaj një propozimi të bërë këtë muaj nga presidenti amerikan Donald Trump për ndërtimin e një baze ushtarake amerikane në Lituani, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se afrimi i infrastrukturës ushtarake amerikane me kufijtë e Rusisë do të konsiderohej si një hap drejt përshkallëzimit të tensioneve.
“Natyrisht, kjo nuk mund të shihet ndryshe veçse si një hap drejt përshkallëzimit të tensioneve”, tha Peskov. Ai shtoi se i njëjti qëndrim vlen edhe për mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin e një shteti fqinj. Lituania, anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, kufizohet si me Rusinë, ashtu edhe me Bjellorusinë aleate të ngushtë të Moskës.
SHBA-ja ka mbajtur në Lituani një batalion të blinduar me afro 1,000 trupa që nga viti 2019, prania ushtarake e të cilave organizohet me rotacion.
Ndryshimi kushtetues për heqjen e ndalimit të armëve nukleare, kërkon një shumicë prej dy të tretash në dy votime të veçanta parlamentare për të hyrë në fuqi. Ndalimi aktual u vendos mbi tri dekada më parë, pas shkëputjes së Lituanisë nga Bashkimi Sovjetik.


