Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka theksuar se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Kos njoftoi se me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj, ka diskutuar për rrugën e integrimit evropian të vendit.
Ajo theksoi se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e Planit të Rritjes.
Sipas saj, Kosova ka bërë gjithashtu përparim të mirë drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Megjithatë, ajo vlerësoi se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës përbëjnë një çështje shqetësuese në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, theksoi Kos.
Ajo po ashtu tha se respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për përgatitjen e hapave të ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës këtë muaj, parashikojnë kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale në Hagë, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe faljen presidenciale të të dënuarve.


