Karcinoma e penisit është një sëmundje e rrallë, por serioze, ndërsa zbulimi i hershëm dhe paraqitja në kohë te mjeku mund të kenë rëndësi të madhe në trajtim, përcjell TV21. Nga Klinika e Urologjisë në Shkup thonë se në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth 1.7 raste në 100 mijë burra, normë që konsiderohet ndër më të lartat në Evropë, sipas të dhënave të IARC dhe HPV Information Centre.
Mjekët bëjnë thirrje që të mos neglizhohen plagët që nuk shërohen, gjakderdhja, trashja e lëkurës, ndryshimet e ngjyrës apo çdo ndryshim tjetër i pazakontë në organin gjenital mashkullor.
Në rast të diagnostikimit dhe trajtimit onkologjik, te pacientët e përzgjedhur mund të aplikohet edhe kirurgjia rikonstruktive, e cila mund të ndihmojë në rikthimin e pamjes, urinimit dhe funksionit seksual.
Nga Klinika e Urologjisë apelojnë që pacientët të mos kenë turp dhe të mos e shtyjnë kontrollin, por të kërkojnë në kohë ndihmë dhe ekzaminim urologjik.


