ASH – Me shëndetin e fëmijëve nuk guxon të eksperimentohet

Informacionet për vaksinat BCG ngrenë shqetësime serioze dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë dhe VLEN.

Dy lotet e vaksinës BCG, për të cilat në Kroaci janë ngritur dyshime pas shfaqjes së osteomielitit te katër fëmijë, në vendin tonë tashmë janë përdorur. Afati i përdorimit të këtyre loteve ka skaduar në qershor, ndërsa tani, pas alarmit të ngritur nga Kroacia, përdorimi i vaksinës së prodhuesit bullgar është pezulluar dhe imunizimi do të vazhdojë me vaksina nga një prodhues japonez.

Kjo hap disa pyetje serioze.

Sa fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me këto dy lote?

A janë ndjekur këta fëmijë dhe a është bërë kontroll i posaçëm pas informacionit të ardhur nga Kroacia?

Pse opinioni për këtë çështje informohet vetëm pasi alarmi u ngrit në një shtet tjetër?

Deklarata se deri tani nuk janë evidentuar reaksione të padëshiruara nuk është e mjaftueshme. Ministria e Shëndetësisë duhet të publikojë të dhënat e plota, numrin e fëmijëve të vaksinuar me këto lote, rezultatet e kontrolleve dhe analizave të kryera dhe masat që janë ndërmarrë pas ngritjes së dyshimeve.

VLEN duhet ta kuptojë se Ministria e Shëndetësisë nuk është vend për improvizime dhe reagime të vonuara. Kur bëhet fjalë për shëndetin e të porsalindurve, institucionet duhet të reagojnë me kohë, me transparencë dhe me përgjegjësi të plotë.

Kërkojmë transparencë të menjëhershme dhe përgjigje konkrete. Shëndeti i fëmijëve nuk mund të trajtohet me heshtje dhe sqarime pasi problemi të ketë dalë në publik.