Çështja gjyqësore mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos, e cila zvarritet që prej vitit 2021, kur portugezi u largua nga Torino për t’u rikthyer te Manchester United, nuk ka marrë ende fund. Konflikti i ka rrënjët në periudhën e pandemisë së Covid-19 dhe lidhet me të ashtuquajturën ‘manovra e pagave’
Deri më tani, CR7 ka fituar në dy shkallë vendimmarrjeje: fillimisht me vendimin e arbitrazhit të prillit 2024, kur trupi arbitral vendosi me shumicë votash t’i njihte futbollistit të drejtën për të përfituar 9,8 milionë euro, plus interesat dhe rivlerësimin monetar. Kjo shumë përfaqëson gjysmën e pretendimit të tij fillestar, që arrinte në rreth 19,6 milionë euro. Më pas, vendimi u konfirmua edhe nga gjyqtari i punës në Torino, Gian Luca Robaldo. Tani, Juventusi ka njoftuar se ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit dhe është në pritje të caktimit të datës së seancës gjyqësore.
JUVE, HISTORIA E KARTËS RONALDO— Çështja i ka rrënjët në muajt e pandemisë së Covid-19, kur Juventusi arriti një marrëveshje me futbollistët për heqjen dorë, të paktën në dukje, nga disa paga mujore, me qëllim përballimin e pasojave financiare të pandemisë. Me ish-lojtarin e Real Madridit, drejtuesit e Juventusit ranë dakord në vitin 2021, përmes një dokumenti të njohur si ‘Karta Ronaldo’, për shtyrjen e pagesës së 19,5 milionë eurove, që përfaqësonin pjesën e mbetur të pagës bruto të futbollistit. Ky dokument u përmend në hetimin e Prokurorisë së Torinos, i cili përfshiu drejtuesit më të lartë të klubit bardhezi dhe çoi në dorëheqjen e presidentit Andrea Agnelli dhe të gjithë anëtarëve të bordit drejtues të asaj kohe. Por, kjo shumë nuk u regjistrua asnjëherë në bilancin financiar të klubit. Për më tepër, nga përgjimet e kryera në kuadër të hetimit “Prisma” doli në pah se marrëveshja e shkruar, sipas fjalëve të drejtuesit të zyrës ligjore të Juventusit, Cesare Gabasio, “teorikisht nuk duhet të ekzistojë”. Këtë fjali ai e kishte thënë gjatë një bisede me drejtorin e atëhershëm sportiv, Federico Cherubini. Mbi të gjitha, shuma nuk iu pagua kurrë Ronaldos, pasi në verën e atij viti portugezi u transferua te Manchester United.
BETEJA LIGJORE MES CRISTIANO RONALDOS DHE JUVENTUSIT—‘Karta Ronaldo’ u gjet më 23 mars 2022, gjatë një kontrolli në studion e avokatit Federico Restano, në Torino. Cristiano Ronaldo ngriti padi ndaj Juventusit në shtator 2023, por, meqenëse dokumenti nuk mbante firmën e tij, palët ranë dakord që çështja të zgjidhej përmes arbitrazhit. Disa muaj më vonë, më 17 prill 2024, trupi arbitral, i përbërë nga Gianroberto Villa, Leonardo Cantamessa dhe Roberto Sacchi, vendosi “me shumicë votash” t’i njihte portugezit të drejtën për të përfituar gjysmën e shumës së pretenduar, pra 9,8 milionë euro në vend të 19,6 milionëve. Trupi arbitral përjashtoi qëllimin e Juventusit për të mashtruar futbollistin, por theksoi mbi të gjitha se Ronaldo nuk e kishte kërkuar kurrë këtë shumë në momentin e largimit nga Italia. Juventusi e kundërshtoi këtë vendim, por në janar të këtij viti Gjykata e Torinos vendosi kundër klubit bardhezi.
‘Vendimi u kufizua në verifikimin e ekzistencës së shkeljeve formale të vendimit të arbitrazhit, të pretenduara në aktin e ankimit, dhe nuk përbën një vendim mbi themelin e çështjes’- shpjegon Juventusi në raportin financiar për vitin 2025-2026-Për rrjedhojë, ai nuk sjell ndryshime në përfundimet e arritura nga vendimi i arbitrazhit. Në çdo rast, efektet ekonomike dhe financiare që rrjedhin nga vendimi i arbitrazhit janë pasqyruar tashmë në llogaritë e Klubit që nga viti financiar 2023-2024. Për këtë arsye, nuk pritet të ketë ndikime negative as në bilancin e vitit financiar aktual, as në ata të viteve të ardhshme. Kundër këtij vendimi, Juventusi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit, i cili i është njoftuar rregullisht palëve më 27 mars 2026. Aktualisht, pritet caktimi i datës së seancës gjyqësore’.


