Janjiq: Lista e studentëve në Serbi do ta pranonte realitetin për Kosovën

Analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se Kosova nuk ka qenë temë kyçe në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke theksuar se lista e udhëhequr nga studentët, sipas programit të saj, do të pranonte realitetin dhe do të angazhohej për një proces dialogu e negociatash.

Në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së, të realizuar nga KOHA.net, Janjiq ka thënë se zgjedhjet zhvillohen në një mjedis autoritar, të shoqëruar me manipulime dhe presion ndaj opozitës. Sipas tij, ndërrimi i pushtetit është i mundur, nëse sigurohet numërim i saktë i votave dhe monitorim i fortë ndërkombëtar.

Ai ka vlerësuar se aktualisht energjia e fitores është në anën e lëvizjes studentore, por ka paralajmëruar se procesi mund të shoqërohet me përplasje politike dhe juridike pas përfundimit të votimit.

“Koha për Vuçiqin po mbaron”, ka deklaruar Janjiq, duke kritikuar presidentin serb për akuzat ndaj të tjerëve dhe për mënyrën se si po zhvillon fushatën.

Janjiq: Vuçiqi po mbështetet te njerëzit e mafias

Duke folur për praninë e Milan Radoiçiqit në tubimet elektorale të Aleksandar Vuçiqit, Janjiq ka pretenduar se presidenti serb është i dobët për të ndërmarrë veprime kundër tij dhe se po mbështetet te figura të lidhura me botën kriminale.

Sipas analistit, tubimet e Vuçiqit u ngjajnë më shumë organizimeve të huliganëve sesa tubimeve të zakonshme politike.

“Mantra e Listës së Studentëve është: Serbia ose mafia”, ka thënë Janjiq, duke pretenduar se Vuçiqi është i rrethuar nga njerëz të botës kriminale dhe se kjo lidhet me frikën e tij nga humbja e zgjedhjeve.

Ai ka paralajmëruar se, edhe nëse Vuçiqi humb, transferimi i pushtetit nuk do të përfundojë menjëherë. Sipas tij, mund të pasojnë ditë dhe javë me përplasje juridike e politike, ndërsa procesi i tranzicionit mund të zgjasë disa muaj.

Kosova jashtë fokusit të fushatës

Duke komentuar qëndrimet e listës studentore për Kosovën, Janjiq ka thënë se përqendrimi te lufta kundër mafias dhe jo te çështjet nacionaliste mund t’i japë opozitës më shumë hapësirë politike.

Ai ka vlerësuar se programi i studentëve nuk e trajton Kosovën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por mbështetet në parime të përgjithshme kushtetuese. Sipas tij, kjo qasje nuk nënkupton domosdoshmërisht vazhdimësi të politikës së Vuçiqit.

“Por nëse mund t’ju tregoja se çfarë gjeta në programin e Listës së Studentëve, ata do ta pranonin realitetin. Duhet të ketë një proces dialogu ose negociatash, dhe ky nuk është vetëm një proces normalizimi”, ka deklaruar Janjiq.

Ai ka kritikuar përpjekjet për t’i barazuar studentët me pushtetin aktual, duke argumentuar se kërkesa për një program të detajuar për zgjidhjen e të gjitha problemeve mund të përdoret për të penguar ndryshimin politik në Serbi.

Shqiptarët e Luginës mund të fitojnë më shumë ulëse

Janjiq ka vlerësuar si të rëndësishëm vendimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të garuar së bashku në një listë të përbashkët.

Sipas tij, bashkimi i votave mund të rrisë numrin e përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë dhe t’u japë atyre më shumë ndikim në proceset politike.

“Këto janë vendime vërtet të zgjuara, të zgjuara që shkaktojnë momentin e duhur”, ka thënë ai, duke e cilësuar këtë strategji si pragmatike.

Analisti ka shtuar se përfaqësimi më i madh parlamentar do t’u mundësonte shqiptarëve të këmbëngulnin më fuqishëm në kërkesat e tyre politike.

Në fund, Janjiq ka ngritur shqetësime për mundësinë e manipulimit të votave të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në zgjedhjet serbe, duke kërkuar monitorim të jashtëzakonshëm të procesit.

Ai ka thënë se nuk është e sigurt nëse votat e tyre do të ndryshojnë rezultatin, por ka theksuar se dyshimet për manipulime janë të mëdha.