Ushtria izraelite vazhdon rrethimin e Hebronit për të dytën ditë, arreston 19 palestinezë në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite vazhdoi të shtunën, për të dytën ditë radhazi, rrethimin e Hebronit (El-Halil) në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke detyruar dhjetëra palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu.

Forcat izraelite bastisën zonat al-Jilda dhe Deir Bahha në pjesën qendrore të Hebronit dhe i vendosën ato nën rrethim të plotë, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.

Sipas agjencisë, ushtria detyroi gjithashtu dhjetëra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të qëndronin jashtë në orët e para të mëngjesit.

Gjatë inkursionit u dislokuan automjete të tjera ushtarake dhe buldozerë, u mbyllën hyrjet kryesore dhe rrugët që çojnë në Hebron, ndërsa qyteti u izolua nga zonat përreth, raportoi Wafa.

Agjencia bëri të ditur se forcat izraelite bastisën dhe kontrolluan gjithashtu shtëpi, ndaluan dhjetëra banorë dhe i morën në pyetje në terren përpara se t’i lironin të shtunën në mëngjes.

Ndërkohë, forcat izraelite ndaluan 19 palestinezë gjatë bastisjeve në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në mesin e të ndaluarve ishin dy palestinezë nga zona Hindaza dhe kampi i refugjatëve al-Azza në rajonin e Betlehemit, 16 nga rajoni i Nablusit dhe një i ri nga kampi i refugjatëve Aqabat Jabr në Jeriko.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar, janë shtuar sulmet ushtarake izraelite dhe dhuna e kolonëve që prej nisjes së luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.

Sulmet kanë përfshirë vrasjen dhe arrestimin e palestinezëve, shembjen e shtëpive dhe strukturave të tjera, djegien e xhamive dhe automjeteve, si dhe rrafshimin e tokave bujqësore.

Ato kanë përfshirë gjithashtu kufizime në qasjen e bujqve në tokat e tyre, zhvendosjen e komuniteteve palestineze dhe zgjerimin e vendbanimeve kolone izraelite.

Të premten, ushtria izraelite pretendoi se dy palestinezë u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat izraelite.

Ushtria pretendoi se palestinezët kishin hapur zjarr ndaj kolonëve izraelitë në Hebron, duke plagosur pesë persona.

Pas të shtënave të raportuara, ushtria izraelite njoftoi të premten mbylljen e plotë të Hebronit dhe të disa qyteteve përreth.