Interpol arrestoi të paktën 1.462 persona në të gjithë Afrikën në kuadër të një operacioni që çoi në rikuperimin e 105 milionë dollarëve nga fondet e përfituara në mënyrë të paligjshme, transmeton Anadolu.
“Rrjetet e krimit kibernetik veprojnë pa marrë parasysh kufijtë, duke shfrytëzuar teknologjinë për të vënë në shënjestër viktimat në një shkallë të paprecedentë”, tha në një deklaratë Neal Jetton, drejtor i Interpolit për krimin kibernetik.
Sipas organizatës, aktivitetet kriminale të lidhura me këta persona shkaktuan humbje prej më shumë se 385 milionë dollarësh.
Operacioni, i zhvilluar nga 29 qershori deri më 31 gusht nën emrin “Serengeti III”, përfshiu agjencitë ligjzbatuese të 21 vendeve dhe rezultoi në ndërprerjen e 10.909 rrjeteve keqdashëse.
– Afro 66.000 viktima të identifikuara
Hetuesit identifikuan afro 66.000 viktima të aktiviteteve kriminale kibernetike që përfshinin mashtrime me investime online, sulme me programe shpërblyese (ransomware), zhvatje digjitale dhe komunikime të rreme biznesi.
Në Ugandë, policia shkatërroi dy operacione ndërkombëtare mashtrimi dhe arrestoi 365 shtetas të huaj, të akuzuar se kishin vënë në shënjestër viktima në Azi përmes skemave të sofistikuara të mashtrimit me investime dhe pensione.
Të dyshuarit drejtonin qendra telefonike, ku punonjësit përdornin skenarë të përgatitur, faqe të falsifikuara investimesh dhe platforma mashtruese tregtimi për t’i bindur viktimat, përfshirë pensionistët, të investonin në mundësi financiare që nuk ekzistonin.
Në Angola, autoritetet mbyllën dy objekte të paligjshme për nxjerrjen e kriptomonedhave, arrestuan nëntë të dyshuar dhe sekuestruan më shumë se 2.000 pajisje për nxjerrjen e tyre.
Policia sekuestroi gjithashtu gjashtë instalime elektrike të paautorizuara. Vetëm infrastruktura elektrike e sekuestruar vlerësohet në më shumë se 1 milion dollarë.
Në Nigeri, hetuesit arrestuan një të dyshuar, i akuzuar për drejtimin e një skeme të gjerë mashtrimi përmes mesazheve elektronike (phishing), me të cilën kishte mbledhur të dhëna identifikimi për hyrjen në programe kompjuterike dhe rreth 2,1 milionë adresa emaili.
Një hetim tjetër në Nigeri zbuloi një operacion ndërkombëtar mashtrimi me investime, të promovuar përmes aplikacioneve të mesazheve. Hetuesit gjurmuan më shumë se 2,4 milionë dollarë të dyshuara si të ardhura nga veprimtaria kriminale, pjesa më e madhe e të cilave ishte transferuar përmes transaksioneve me kriptomonedha.
Autoritetet ndërprenë gjithashtu operacione mashtruese të kreditimit përmes telefonave celularë në Tanzani, një skemë mashtrimi online për importimin e automjeteve në Gabon dhe një rrjet të krimit kibernetik në Republikën e Kongos, ku u arrestuan 30 të dyshuar.
– Kriminelët kibernetikë po shfrytëzojnë inteligjencën artificiale
Kenia ishte ndër vendet pjesëmarrëse në operacion, së bashku me Ganën, Afrikën e Jugut, Ruandën, Kamerunin, Zimbabven dhe Shtetet e Bashkuara.
Interpol tha se shkëmbimi i informacioneve dhe bashkëpunimi me kompanitë e teknologjisë i ndihmuan hetuesit të identifikonin infrastrukturën e dyshimtë online dhe të gjurmonin aktivitetet kriminale përtej kufijve.
Organizata paralajmëroi se inteligjenca artificiale po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë nga kriminelët kibernetikë, duke u mundësuar mashtruesve të zhvillojnë skema më të sofistikuara dhe të arrijnë një numër më të madh viktimash.
“Operacioni Serengeti III përcjell një mesazh të qartë: ndonëse krimi kibernetik po bëhet gjithnjë e më i pakufizuar nga kufijtë, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mjetet më efektive për të ndërprerë veprimtarinë e rrjeteve kriminale, për të rikuperuar asetet e përfituara nga krimi dhe për të mbrojtur komunitetet nga dëmet digjitale”, tha Jetton.
Interpol njoftoi se disa hetime janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet po kërkojnë të dyshuar të tjerë dhe po shqyrtojnë provat digjitale të sekuestruara gjatë operacionit.


