Kolona të gjata automjetesh janë krijuar të shtunën në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Të gjitha automjetet po i nënshtrohen kontrollit nga zyrtarët, por kësaj radhe raportohet se në disa raste po kryhen kontrolle edhe të automjeteve.
Nga zyrtarët nuk janë dhënë informacione, por një masë të tillë autoritetet e Shqipërisë mund ta kenë marrë për shkak të protestave të dhunshme që po zhvillohen prej pesë ditësh në kryeqytet dhe qytete të tjera.
Nxënës e studentë për të pestën ditë radhazi po protestojnë në Shqipëri. Protesta pati nisur para Ministrisë së Arsimit e që më pas përshkallëzoi në përplasje të dhunshme mes protestuesve e Policisë. Protestuesit kanë hedhur gurë e gjësende drejt objekteve private e publike, duke dëmtuar disa prej tyre. Ata po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra.


