Ferguson surprizon tifozët në derbin ndaj Leeds, legjenda e Man. United shfaqet pranë një figure ikonike të klubit

Sir Alex Ferguson ishte i pranishëm në tribunat e “Elland Road” për derbin mes Leeds United dhe Manchester United, por ajo që tërhoqi vëmendjen e tifozëve ishte personi që qëndronte pranë legjendës së pankinës së “Djajve të Kuq”.

Në krah të Fergusonit, 84-vjeçarit që drejtoi Manchester United drejt 13 titujve të Premier League, ishte Albert Morgan, ish-punënjësi legjendar i pajisjeve të klubit dhe një prej njerëzve që qëndruan pranë trajnerit skocez gjatë viteve të tij të arta në “Old Trafford”.

Pamjet televizive të dy miqve të vjetër u bënë menjëherë objekt diskutimi në rrjetet sociale. Shumë tifozë të Manchester United u surprizuan nga ribashkimi i tyre, duke kujtuar lidhjen e fortë që i bashkoi gjatë periudhës më të suksesshme të klubit.

“Mos ishte Alberti, pajisësi, pranë Fergiet?”, shkroi një tifoz, ndërsa një tjetër komentoi shkurt: “Fergie është ulur me Albertin”. Një reagim tjetër përmblodhi ndjenjën e mbështetësve: “Mund të largohesh nga pankina, por United nuk të largohet kurrë nga zemra”.

Ferguson dhe Morgan patën arsye për të festuar në pjesën e parë të takimit, kur Bryan Mbeumo kaloi Manchester United në avantazh, duke heshtur përkohësisht tifozët vendas. Megjithatë, Leeds reagoi pas pushimit dhe Dominic Calvert-Lewin barazoi rezultatin vetëm gjashtë minuta pas rifillimit të lojës.

Në fund, asnjëra prej skuadrave nuk arriti të shënonte golin e fitores dhe derbi u mbyll në barazim 1-1.

Prania e Fergusonit në stadium erdhi në një periudhë të trazuar për Manchester United. Pas humbjes në mesjavë ndaj Atletico Madridit në Champions League, mbrojtësi Lisandro Martinez kishte kritikuar publikisht drejtorin e futbollit, Jason Wilcox.