Ermal Peçi: Dhuna në Saraj kërkon drejtësi, jo propagandë politike dhe tensione etnike

Gazetari nga Shqipëria, Ermal Peçi, ka reaguar lidhur me pamjet e dhunës ndaj dy të rinjve në Saraj të Shkupit, duke e cilësuar revoltën e qytetarëve si një reagim të natyrshëm përballë dhunës, veçanërisht kur ajo ushtrohet nga persona që mbajnë uniformën e shtetit.

Peçi thekson se rasti duhet parë fillimisht nga këndvështrimi njerëzor, duke nënvizuar dhimbjen që kanë përjetuar familjet e të rinjve dhe nevojën që çdo qytetar të ndihet i mbrojtur nga institucionet shtetërore.

Megjithatë, sipas tij, shqetësues është edhe tentimi për ta shndërruar këtë ngjarje në kapital politik dhe propagandë elektorale, duke nxitur tensione etnike në vend që të kërkohet zbardhja e plotë e së vërtetës.

“Dhuna nuk ka kombësi. Abuzimi me uniformën nuk ka etni dhe përgjegjësia penale apo institucionale nuk mund të përcaktohet nga emri, gjuha apo origjina e atij që e ushtron dhunën”, thekson Peçi në reagimin e tij.

” “

Ai kërkon që institucionet kompetente të hetojnë rastin në mënyrë të paanshme dhe që, nëse konfirmohen shkeljet, përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore. Sipas tij, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të mbështetet në veprimet konkrete të personave të përfshirë, e jo në përkatësinë e tyre etnike.

Ai gjithashtu paralajmëron se shfrytëzimi politik i ngjarjes rrezikon ta zhvendosë vëmendjen nga viktimat dhe drejtësia, duke e kthyer dhimbjen e familjeve në instrument të interesave partiake.

“Uniforma e shtetit nuk është licencë për të dhunuar, por përgjegjësi për të mbrojtur”, nënvizon Peçi.

Në përfundim, ai thekson se zbardhja e rastit është e rëndësishme jo vetëm për dy të rinjtë dhe familjet e tyre, por edhe për bashkëjetesën, besimin te institucionet dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.