Dauti: E fshehu arin në jastëkun e qafës, por doganierët ia zbuluan: Sekuestrohen bizhuteri me vlerë 4 milionë denarë!

Një tentativë kontrabande është zbuluar në pikën kufitare të Bogorodicës, ku doganierët kanë sekuestruar 77 bizhuteri ari, me peshë 612 gramë dhe vlerë rreth 4 milionë denarë. Ari ishte fshehur brenda një jastëku për qafën, që e mbante me vete një shtetas i Maqedonisë së Veriut, udhëtar në autobusin e linjës Stamboll–Gostivar.

Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari i kishte blerë bizhuteritë në Stamboll dhe synonte t’i fuste ilegalisht në vend për t’i shitur më pas në argjendarinë e tij. Bizhuteritë janë sekuestruar, ndërsa ndaj të dyshuarit është ngritur kallëzim penal për kontrabandë.