Asambleja e Gruas e Aleancës për Shqiptarët – drejt një kongresi me përfaqësim dinjitoz dhe përgjegjësi politike

Në prag të Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, Asambleja e Gruas zhvilloi aktivitete dhe diskutime me fokus të veçantë mbi rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e partisë, konsolidimin e strukturave dhe forcimin e përfaqësimit të gruas në vendimmarrjen politike.

Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për një përfaqësim dinjitoz, meritor dhe të drejtë të grave në të gjitha nivelet e strukturave partiake – nga nëndegët, degët dhe organet drejtuese, deri te Kuvendi Qendror dhe Kryesia e Partisë.

Besojmë se një parti e fortë ndërtohet mbi meritën, integritetin, kontributin dhe përgjegjësinë, duke u dhënë hapësirën e merituar grave që ndër vite kanë dëshmuar përkushtim, qëndrueshmëri dhe besnikëri ndaj vlerave dhe vizionit të Aleancës për Shqiptarët.

Kongresi nuk është vetëm një moment organizativ, por një mundësi për të reflektuar, për të forcuar demokracinë e brendshme dhe për të ndërtuar një strukturë partiake më përfaqësuese, më të drejtë dhe më të përgjegjshme.

Asambleja e Gruas do të vazhdojë të jetë zë aktiv dhe konstruktiv në këtë proces, me bindjen se fuqizimi i gruas në politikë nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por domosdoshmëri për një parti më të fortë dhe një të ardhme më të mirë.

Gratë kërkojnë vlerësim të meritës, hapësirë për kontribut dhe përfaqësim të denjë në vendimmarrje.