Një djalë i ri rreth të njëzetave humbi jetën në mënyrë të tmerrshme sot pasi kapërceu barrierat mbrojtëse dhe hyri në hapësirën e tigrave siberianë në kopshtin zoologjik “Yorkshire Wildlife Park”, pranë Doncasterit, në veri të Anglisë.
Sipas policisë së South Yorkshire, vizitori dyshohet se e kaloi qëllimisht rrethimin dhe iu afrua njërit prej tigrave, i cili e sulmoi duke i shkaktuar plagë fatale. Në vendngjarje mbërritën ambulanca, personel mjekësor dhe një helikopter shpëtimi, por i riu nuk mundi të shpëtonte.
Identiteti i viktimës nuk është bërë publik dhe ende nuk dihet përse hyri në zonën e kafshëve.
Sipas dëshmive të cituara nga Daily Mail, përpara se të kapërcente rrethimin, i riu kishte me vete një telefon dhe mbante kufje. Një dëshmitar tha se ai dukej sikur po përgatitej psikologjikisht, duke bërë një lloj “vallëzimi” në hapësirën e vizitorëve.
Në pamjet e përshkruara nga gazeta, ai shihet i gjunjëzuar, me krahët e hapur, ndërsa drejton gishtin nga tigri dhe thërret vazhdimisht “ndalo”. Dëshmitarë të tjerë thanë se kafsha e sulmoi në fyt pak sekonda pasi kishte kaluar rrethimin.
Punonjësit e parkut ndërhynë me pajisje që prodhojnë zhurma të forta, të ngjashme me krismat e armëve. Ata i aktivizuan pesë herë në përpjekje për ta larguar tigrin.
Karmelle Pelham, 39 vjeç, e cila ndodhej në park me familjen, i tha BBC-së se kishte dëgjuar zhurma që i ngjanin të shtënave dhe kishte parë një helikopter shpëtimi mbi zonë.
“Kishte një mbulesë të madhe të zezë mbi rrethimin e tigrave”, tregoi ajo.
Pas ngjarjes, parku u evakuua dhe drejtuesit njoftuan se do të qëndronte i mbyllur gjatë gjithë fundjavës. Policia bëri të ditur se tigri nuk ishte lënduar dhe ishte izoluar brenda hapësirës së tij, duke përjashtuar rrezikun për vizitorët e tjerë.
Drejtuesit e kopshtit zoologjik u kërkuan vizitorëve të mos publikonin apo shpërndanin pamje të sulmit dhe shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga incidenti tragjik. Mendimet dhe ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen dhe të afërmit e personit që humbi jetën”, thuhet në reagimin e parkut.
Tigri që sulmoi të riun quhet Altai dhe peshon rreth 190 kilogramë. Hapësira ku mbahet, e quajtur “Land of the Tigers”, ka një shëtitore të ngritur rreth 300 metra të gjatë, nga e cila vizitorët mund t’i vëzhgojnë kafshët në zonën e rrethuar me pyll, livadh dhe ujë.


