Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, njoftoi të martën dorëheqjen e saj, duke i cilësuar të pabaza akuzat e fundit për sjellje të pahijshme, transmeton Anadolu.
“Të shërbeja si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, shkroi Guilfoyle në platformën sociale amerikane X, duke shprehur mirënjohjen ndaj presidentit Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, për mundësinë që iu dha për të shërbyer në këtë detyrë.
Njoftimi erdhi pak kohë pasi Shtëpia e Bardhë tha se i kishte kërkuar ambasadores Guilfoyle të jepte dorëheqjen, mes pretendimeve se ajo kishte pranuar dhurata luksoze gjatë mandatit të saj dhe kishte kërkuar pagesa financiare në këmbim të sigurimit të qasjes te zyrtarë të administratës, përpara konfirmimit të saj në detyrë.
“Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim”, tha Guilfoyle, duke shtuar se nuk do të lejojë që pretendimet e rreme të përcaktojnë dekadat e shërbimit të saj publik.
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm e Departamentit të Shtetit po i heton akuzat ndaj Guilfoyle, i tha CNN-it të hënën një burim i njohur me hetimin.


