Zjarr në një depo me ngjyra në Shkup, zjarrfikësit në vendngjarje

Një zjarr shpërtheu këtë pasdite në lagjen Zhelezara të Shkupit, ku po digjet një depo me ngjyra dhe llaqe në bulevardin “Aleksandar Makedonski”.

Sipas informacioneve nga Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), ekipet e Brigadës Zjarrfikëse me gjashtë automjete zjarrfikëse dhe 20 zjarrfikës janë në vendngjarje.

“Një objekt është në flakë – një depo me ngjyra dhe llaqe në bulevardin “Aleksandar Makedonski”. Në orën 17:10, ekipet e Brigadës Zjarrfikëse me gjashtë automjete zjarrfikëse dhe 20 zjarrfikës ishin në vendngjarje. Zjarri ende konsiderohet aktiv”, thonë nga QMK.

Aktualisht nuk ka informacione për të lënduar, shkaqet e zjarrit ose dëme materiale.

Për shkak të faktit se bëhet fjalë për një depo që ruan ngjyra dhe llaqe, zjarrfikësit po ndërhyjnë me vëmendje të shtuar. Shërbimet kompetente pritet të japin më shumë detaje pasi të përfundojë ndërhyrja.