Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

Nga 7 gushti deri më 18 shtator, në Kosovë u regjistruan shtatë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa dy persona humbën jetën.

Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se rastet e regjistruara këtë vit janë kryesisht infeksione të marra brenda Kosovës.

 

Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Hoti tregon se vetëm njëri nga personat e infektuar kishte histori udhëtimi jashtë Kosovës, ndërsa të tjerët, sipas anketave epidemiologjike, nuk kishin udhëtuar jashtë shtetit.

 

Si përhapet virusi i Nilit Perëndimor?

 

Njerëzit preken nga ky virus kur pickohen nga mushkonjat e infektuara.

 

“Burim i infeksionit janë shpezët e infektuara, ndërsa virusin nga shpezët e infektuara tek njeriu e sjellin mushkonjat”, thotë Hoti.

 

Ai thekson se virusi nuk transmetohet zakonisht nga njeriu te njeriu.

 

“Rastet kur kjo ndodh janë jashtëzakonisht të rralla, dhe janë kryesisht raste kur kemi të bëjmë me ndonjë lloj transplantimi, ose një lloj transfuzioni të gjakut, në situatat kur personi i infektuar i jep gjak dikujt tjetër, pa e ditur që vetë e ka infeksionin”, thotë Hoti në 5 pyetje.