Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se gjatë takimit me homologun e tij amerikan, Donald Trump, diskutoi mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për një armëpushim që do të përfshinte infrastrukturën energjetike, si dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Pas takimit me Trump, i cili zgjati rreth 40 minuta, Zelensky u tha gazetarëve se Kievi është i gatshëm për çdo formë “armëpushimi energjetik” me Rusinë.
Megjithatë, presidenti ukrainas sqaroi se gjatë bisedimeve nuk u diskutua mundësia e një ndërprerjeje të njëanshme të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse.
Zelensky përsëriti gjithashtu gatishmërinë për të marrë pjesë në një takim trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Ai tha se shpreson që Uashingtoni të gjejë një mënyrë për ta bindur Moskën të ulet në tryezën e negociatave dhe për të avancuar përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës.


