Një hap larg medaljes.
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku do të zhvillojë sot një nga meçet më të rëndësishme në Kampionatin Evropian “Sofia 2026”, ku në çerekfinale do të përballet me holandezen Maund van der Toorn.
Dueli në kategorinë deri në 60 kilogramë është programuar të zhvillohet në ringun “B”, duke nisur nga ora 13:30.
Sadiku, e cila ka fituar titullin e kampiones së Mesdheut duke përfaqësuar Kosovën, synon ta vazhdojë rrugëtimin në Kampionatin Evropian me një tjetër fitore, transmeton Klankosova.tv.
Një triumf ndaj boksieres holandeze do t’i siguronte kualifikimin në gjysmëfinale dhe, rrjedhimisht, edhe medaljen në këtë garë kontinentale.
Në prag të përballjes, selektorja e Kosovës, Marjola Sallauka, ka shprehur besimin se Sadiku do ta kalojë me sukses sfidën e sotme dhe do të sigurojë një vend në mesin e katër më të mirave.
Për Sadikun, meçi i sotëm paraqet një tjetër mundësi për të konfirmuar paraqitjet e saj në arenën ndërkombëtare dhe për t’i sjellë Kosovës një medalje nga Kampionati Evropian.


