Sadio Mane po tregon edhe një herë se lidhja e tij me vendlindjen nuk përfundon në fushën e futbollit. Ylli senegalez ka hedhur hapin e parë për një prej projekteve më të mëdha të tij jashtë sportit, duke investuar rreth 20 milionë dollarë, në ndërtimin e një parku agro-industrial në Bambali, fshatin ku ka lindur.
Më 19 shtator, Mane mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë të projektit SM10 Agro, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh. Qëllimi kryesor është zhvillimi dhe përpunimi i mangove të rajonit, duke krijuar një zinxhir të plotë prodhimi në vend.
Një tjetër element i rëndësishëm është punësimi. SM10 Agro pritet të krijojë më shumë se 1,000 vende pune direkte në fazën e parë, ndërsa objektivi afatgjatë shkon në rreth 2,500 vende pune, përveç vendeve të punës që mund të krijohen indirekt në transport, furnizim dhe shërbime.
Mane ka menduar gjithashtu për të ardhmen e të rinjve dhe grave të zonës, me një qendër trajnimi për profesionet bujqësore, si dhe një qendër kërkimi dhe zhvillimi. Punimet pritet të zgjasin rreth 18 muaj.
Ky është vetëm kapitulli më i ri i kontributit të Mane për Bambalin. Përpara këtij investimi, futbollisti senegalez kishte financuar projekte të tjera në vendlindje, përfshirë shkollë, spital, xhami dhe infrastrukturë të tjera për komunitetin.


