Rruga e re mbi Shipkovicë, pjesë e rrugës Tetovë-Prizren

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka sqaruar ecurinë e punimeve për rrugën Tetovë-Prizren, duke specifikuar se segmenti që po hapet aktualisht do të integrohet në projektin final. Sipas tij, për lidhjen me tunel mes dy vendeve u shqyrtuan tre mundësi, kalimi pa tunel përmes Kodrës së Diellit, një tunel prej 3 kilometrash dhe një tjetër prej 6 kilometrash. Dy qeveritë respektivisht ajo e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë rënë dakord për opsionin e tunelit më të gjatë prej 6 kilometrash. Ajo rrugë që tash po hapet mbi fshatin Shipkovicë është një segment i rrugës Tetovë-Prizren, sqaroi Kasami.

“Një segment i rrugës nga Tetova deri në Shipkovicë ekziston, do të shfrytëzohet rruga që ne e ndërtojmë dhe nga dalja për në Shipkovicë deri në hyrje të tunelit do të jetë zgjerimi i rrugës ekzistuese. Edhe për tunelin ka pasur tre opsione. Njëri opsion ka qenë pa tunel nga Kodra e Diellit, një opsion ka qenë që të ketë një tunel me 3 kilometra dhe një opsion ka qenë me 6 kilometra. Për momentin të dy qeveritë kanë vendosur për opsionin që tuneli të ketë 6 kilometra”, tha Kasami.

Ai bëri të ditur se aktualisht po punohet në depërtimin e rrugës, ndërsa asfaltimi i këtij segmenti pritet të përfundojë brenda vitit 2027. Sa i përket trasesë së plotë, ai pranoi se ende nuk ekziston një projekt i detajuar për të gjithë rrugën, por janë shqyrtuar disa alternativa që nisin nga Tetova deri në Shipkovicë. Në varësi të projektit që do të miratohet, segmenti aktual do të përshtatet me rrugën ekzistuese ose do të zgjerohet nga Shipkovica në drejtim të fshatit Veshallë, duke garantuar se të gjitha ndërhyrjet e tanishme do të përfshihen në zgjidhjen përfundimtare.

“Mund të ketë çfarëdo lloj akuzash, por ajo që është me rëndësi është që aty po përgatitet projekti dhe po depërtohet rrugë, që në fazën e dytë, besoj brenda vitit 2027 do të bëhet edhe asfaltimi i asaj rruge. Sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, ne nuk kemi projekt për komplet trasenë e rrugës, ka pasur diskutim ku janë ofruar disa opsione, kurse ne tani po realizojmë një segment të asaj traseje. Pra, në bazë të studimit, rruga fillon nga Tetova deri në fshatin Shipkovicë, dhe aty janë disa opsione, njëri ndër opsionet është edhe kjo që ne e realizojmë, por nuk ka projekt, në moment kur do të realizojmë projektin, ne do e përshtatim edhe trasenë e rrugës, konform rrugës ekzistuese apo nga dalja në fshatin Shipkovicë traseja të vazhdojë me zgjerimin e rrugës për në fshatin Veshallë. Pra, në moment kur do të realizohet ky projekt, sigurisht rruga tash që punojmë do të inkorporohet në zgjidhjen që do të ofrohet”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ai mohoi kategorikisht se është duke u ndërtuar rrugë pa dalje por insistoi se e njëjta është pjesë e projektit të shumëpërfolur Tetovë-Prizren. Së fundmi, në një takim krerët e dy qeverive, gjegjësisht Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski, kanë rikonfirmuar se rruga Tetovë-Prizren mbetet prioritet për të dy vendet.