Dosja e SPAK ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hysen, mbështetet në një seri komunikimesh, dokumentesh dhe të dhënash që prokuroria i konsideron të rëndësishme për të ngritur dyshimet ndaj ish-drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në qendër është marrëdhënia e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ishte në kërkim nga drejtësia dhe u arrestua më 26 gusht. Gjykata e Posaçme, caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra.
Sipas SPAK, ajo hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Një nga elementet kryesore janë komunikimet me Agasin.
Sipas materialeve të hetimit të publikuara, vetëm gjatë periudhës 28 qershor–26 gusht janë evidentuar 508 forma komunikimi mes tyre, duke përfshirë telefonata, video-thirrje, mesazhe dhe materiale të tjera.
Vetëm në Signal janë regjistruar 70 telefonata hyrëse nga Hyseni drejt Agasit, 17 telefonata dalëse nga Agasi, 28 telefonata të humbura dhe 25 telefonata pa përgjigje.
Për SPAK nuk është vetëm numri i komunikimeve që ngre dyshime, por edhe përmbajtja e tyre. Në një prej SMS-ve Hyseni i shkruan Agasit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, ndërsa në një tjetër shprehet: “Do përfundojmë keq shpirt…”.
Në një tjetër komunikim ajo shkruan se “sa shumë gjëra na kanë bërë” dhe se duhet të përqendroheshin te problemi i tij. Prokuroria i konsideron këto komunikime si tregues të një marrëdhënieje personale dhe të një solidarizimi me situatën e Agasit.
Në dosje përmenden edhe mesazhe për takime me zyrtarë të lartë. Më 19 gusht, Hyseni i shkruan Agasit se Skënder Hita e kishte thirrur për takim dhe se shpresonte që ai “ka porosit KM (Kryeministrin)”.
Më 24 gusht ajo e informon se të nesërmen do të takonte kryeministrin në orën 08:30. Në komunikime të tjera përmenden edhe takime me partnerë ndërkombëtarë dhe informacione që lidhen me Taulant Ballën e Belinda Ballukun.
Një tjetër element material janë nëntë faqe të printuara, të gjetura më 20 korrik në makinën e Agasit gjatë kontrollit në kompleksin “Equos Resort”.
Sipas materialeve të hetimit, dokumentet përmbanin diagrame dhe të dhëna që dyshohet se lidhen me SHISH. Agasi, sipas raportimeve mbi dosjen, ka deklaruar se i kishte lënë aty qëllimisht që t’i gjente SPAK.
Hyseni, gjatë pyetjes nga SPAK më 18 shtator, ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Agasin, por ka deklaruar se ai ishte bashkëpunëtor i SHISH dhe ka mohuar takimet fizike me të.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se nuk kishte dijeni që Agasi të kishte marrë informacione nga SHISH. SPAK po heton paralelisht edhe dyshimin se Agasi është ndihmuar t’i shmangej arrestimit për një periudhë të gjatë.
Në kuadër të të njëjtit hetim janë marrë masa ndaj personave të tjerë dhe janë kryer kontrolle, përfshirë banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Në këtë fazë, komunikimet, informacionet e përcjella dhe dokumentet e gjetura janë pjesë e provave dhe pretendimeve të prokurorisë, ndërsa përgjegjësia penale e Hysenit do të përcaktohet vetëm nga gjykata.


