Në vijim të videomesazhit drejtuar shqiptarëve, kryeministri Edi Rama foli edhe për dhuratat që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, duke thënë se ato janë regjistruar si prona të shtetit shqiptar
Rama deklaroi se pasuria, paratë apo favoret nuk e kanë përkulur bindjen e tij dhe se synimi i tij, sipas tij, është transformimi i Shqipërisë dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
“Kush ka përfituar të drejta kushtetuese të zhvillimit të pronës apo mundësi të ligjshme investimi, e di shumë mirë çfarë flas, e di shumë mirë çfarë them kur them se pushteti im nuk është përdorur për të dhënë favore të errëta. Sot në Kryeministri ka një muze të dhuratave. Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar, të cilët kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë që paskam marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka një duzinë orësh të shtrenjta dhe super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua nga miq të fuqishëm apo vizitorë të huaj. Ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për Kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si Kryeministër dhe çfarë më takon ta kem si Kryeministër, nuk vjen për ta çuar në shtëpinë time”
Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë. E dua me flamurin sa më lart, në tryezat sa më të larta. E dua në BE, me drejtësi të pavarur prej meje dhe nga çdo kryeministër pas meje”, tha Rama.


