Historia e një gjykate që u krijua me akuzën për organe, u imponua me kërcënimin e izolimit dhe përfundoi duke rishkruar politikisht luftën e Kosovës
Nga Baton HAXHIU
Më 16 mars 2014 shkrova “Traktat kundër Tribunalit” (lexojeni të plotë duke klikuar këtu). Do të doja të kisha gabuar dhe shqetësimi im i atëhershëm të kishte qenë vetëm një reagim emocional ndaj një gjykate që ende nuk ekzistonte.
Do të doja që sot të mund të thosha se drejtësia kishte arritur ta ndante përgjegjësinë individuale nga historia e një populli që luftoi për liri.
Aktgjykimi i 16 shtatorit provoi të kundërtën. Gjykata deklaroi se nuk po gjykonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Formalisht ajo dënoi katër individë.
Mirëpo, për t’i dënuar ata, ndërtoi një rrëfim të gjerë politik për luftën, strukturën e UÇK-së, qëllimet e saj dhe njerëzit që e drejtuan.
Kjo histori nuk filloi në Hagë. Ajo filloi rastësisht apo qëllimisht në Prishtinë, në zyrën time në Klan Kosova, në fund të vitit 2009.
Disku që paralajmëroi stuhinë
Një ditë, Gani Geci erdhi në zyrën time me një disk kompjuteri.
Në të ishte regjistruar një intervistë private, në një dhomë të errët. Aty ndodheshin tre njerëz: Gani Geci, Adem Salihu dhe Nazim Bllaca.
Ishte Bllaca ai që fliste.
“Unë e kam vrarë Ibush Kllokoqin”, deklaronte Bllaca dhe megjithatë mbeti i lirë dhe i padënuar.
E dëgjova intervistën deri në fund.
Bllaca fliste për vrasje të pasluftës. Përmendte emra, fliste për urdhra dhe për një mekanizëm që, sipas rrëfimit të tij, ishte më i gjerë se një rast i vetëm.
Nuk ishte një intervistë e zakonshme. Ishte ndërtimi i një rrëfimi që pritej të shpërthente publikisht.
Kur mbaroi shikimi, e kuptova se në Kosovë po vinte një histori e rëndë.
Pak ditë më vonë, Nazim Bllaca doli në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë. I rrethuar nga qytetarë dhe gazetarë, me një sjellje që lëvizte ndërmjet dëshmisë, frikës dhe një doze çmendurie publike, ai filloi të fliste për vrasjet e pasluftës. Aty nisi histeria.
Mediat e morën rrëfimin. Politika u nda ndërmjet atyre që e shpallën Bllacën dëshmitar të së vërtetës dhe atyre që e shpallën vegël të një komploti.
Ndërkombëtarët e morën nën mbrojtje, ndërsa prokuroria e ktheu në bashkëpunëtor dhe dëshmitar në disa procese. Nuk po them se vrasjet për të cilat fliste Bllaca nuk duhej të hetoheshin.
Çdo vrasje duhej hetuar. Çdo viktimë meritonte drejtësi. Çdo njeri që kishte kryer krim duhej të përgjigjej me emër dhe mbiemër.
Problemi filloi kur një rrëfim për krime individuale u kthye në çelësin për të shpjeguar një luftë të tërë.
Raporti i Dick Martyt e quajti rastin Bllaca “emblematik”.
Dhe ai vërtet u bë emblematik. Jo vetëm për drejtësinë. U bë emblematik për mënyrën se si një dëshmi e ardhur nga errësira e një dhome mund të shndërrohej në lëndë politike ndërkombëtare.
Akuza që e futi Kosovën në kurthin moral
Përpara Dick Martyt kishte ardhur Carla Del Ponte. Në kujtimet e saj të vitit 2008 ajo hodhi në qarkullim pretendimet për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së.
Ishte akuza më e rëndë që mund t’i bëhej një lëvizjeje çlirimtare. Nuk flitej më vetëm për hakmarrje, vrasje individuale apo burgime të paligjshme.
Flitej për marrjen dhe shitjen e organeve njerëzore. Kjo akuzë i futi Kosovën dhe Shqipërinë në një grackë morale.
Nëse e kundërshtonin, mund të akuzoheshin se po pengonin drejtësinë. Nëse e pranonin mekanizmin e kërkuar për hetimin e saj, pranonin që mbi UÇK-në dhe mbi dy shtetet shqiptare të rëndonte dyshimi më monstruoz i pasluftës.
Dick Marty e zgjeroi narrativën. Raporti i tij nuk e paraqiti më çështjen si një seri dyshimesh të izoluara. Ai ndërtoi një tablo me qendra ndalimi, vrasje, krim të organizuar, trafikim organesh dhe përgjegjësi të drejtuesve të UÇK-së.
Pastaj ndodhi e pabesueshmja.
Pretendimi që kishte krijuar tronditjen më të madhe nuk u bë pjesë e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Nuk pati akuzë për trafikim organesh. Mirëpo gjykata që u imponua politikisht nën peshën e asaj akuze mbeti.
Akuza u zhduk.
Mekanizmi i krijuar prej saj vazhdoi të jetonte.
Ky ishte mashtrimi i parë historik.
Kosova u bind ta krijonte një gjykatë për ta hequr nga vetja njollën e trafikimit të organeve. Pastaj organet u zhdukën nga çështja, ndërsa Kosova mbeti me gjykatën.
Çfarë shkrova në vitin 2014
Kur shkrova “Traktat kundër Tribunalit” në mars të vitit 2014, gjykata ende nuk ishte votuar.
Atëherë shkrova se krimet e pasluftës duhej të gjykoheshin individualisht. Shkrova se UNMIK-u dhe EULEX-i kishin pasur mandat, kohë, para dhe pushtet të mjaftueshëm për ta bërë këtë punë.
Nëse kishin dështuar, dështimi i tyre nuk mund të shndërrohej në faj të Kosovës.
Paralajmërova se një tribunal i krijuar vetëm për njërën palë nuk do të gjykonte më vetëm individë.
Ai do ta ndryshonte pozitën historike të viktimës dhe do ta vendoste Kosovën në bankën e të akuzuarve. Kjo ishte arsyeja pse e quajta traktat kundër tribunalit.
Nuk ishte thirrje kundër drejtësisë. Ishte thirrje kundër përdorimit të drejtësisë për të ndërtuar një histori të re politike.
Më 2014 nuk mund ta dija se cilët njerëz do të akuzoheshin. Nuk mund t’i dija vitet e dënimit. Nuk mund ta dija gjuhën me të cilën, dymbëdhjetë vjet më vonë, një trup gjykues do ta përshkruante luftën.
Por drejtimi mund të shihej. Gjykata po ndërtohej mbi një akuzë kolektive, ndërsa premtohej se do të gjykonte vetëm përgjegjësi individuale.
Ky ishte kundërshtimi që shumë njerëz refuzuan ta shihnin.
Amerika tërhiqej dhe Evropa merrte drejtimin
Në atë periudhë po ndryshonte edhe politika amerikane ndaj Kosovës.
Chris Dell na kishte paralajmëruar se Uashingtoni po tërhiqej nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe po ia linte Bashkimit Evropian drejtimin politik në Kosovë dhe në Ballkan.
Në shumë kuptime, Dell ishte ambasadori i fundit amerikan që pati ndikim real dhe të përditshëm mbi politikën e Kosovës.
Pas tij, prania amerikane nuk u zhduk. Mirëpo u bë më e kufizuar, më e kontrolluar nga Uashingtoni dhe më e gatshme që çështjet e Kosovës t’ia delegonte Brukselit.
Kjo nuk ishte vetëm çështje personash. Ishte ndryshim doktrine gjatë administratës Obama.
Bota ndërkohë ishte përmbysur nga ngjarje shumë më të mëdha. Pranvera Arabe tronditi Egjiptin dhe Lindjen e Mesme. Lufta në Siri prodhoi miliona refugjatë. Kriza e migrimit goditi Gjermaninë dhe Evropën.
Euromaidani dhe Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë u pasuan nga aneksimi rus i Krimesë dhe lufta në Donbas.
Këto zhvillime e ngadalësuan ritmin e dukshëm të projektit të gjykatës, por nuk e zhdukën atë.
Dosja priste. Në prapaskenë, ajo vazhdonte të përgatitej.
Jason Steinbaum, ish-bashkëpunëtor i lartë i kongresistit Eliot Engel dhe njohës i afërt i politikës amerikane për Kosovën, ka dhënë një shpjegim edhe më të rëndë.
Sipas tij, administrata Obama e pranoi gjykatën si pjesë të lëshimeve politike që bëheshin për ta mbajtur Rusinë brenda koalicionit ndërkombëtar për marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Nuk ekziston një dokument publik që provon një marrëveshje të drejtpërdrejtë Obama–Putin për Gjykatën Speciale.
Prandaj kjo nuk mund të paraqitet si fakt i mbyllur. Megjithatë, dëshmia e Steinbaumit ndihmon për ta kuptuar kthesën e papritur të politikës amerikane.
Një akuzë që fillimisht ishte trajtuar me skepticizëm u kthye pothuajse brenda natës në kusht të panegociueshëm për Kosovën.
Kosova nuk ishte më çështja qendrore e Amerikës. Ishte bërë një pjesë e vogël në një lojë shumë më të madhe gjeopolitike.
Përqafimi që u kthye në presion
Hashim Thaçi kishte kaluar vite duke u trajtuar si partner i Perëndimit.
Hillary Clinton erdhi në Kosovë. Joe Biden e priti dhe e trajtoi si bashkëpunëtor të rëndësishëm amerikan.
Presidentë, kryeministra dhe diplomatë perëndimorë e përqafuan si njeriun që kishte dalë nga lufta dhe kishte pranuar paqen.
Këto vizita nuk mund të paraqiten si misione për krijimin e Gjykatës Speciale, por ato ndërtuan kapitalin e besimit mbi të cilin më vonë u ushtrua presioni.
Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës iu krijua bindja se bashkëpunimi me Perëndimin do ta mbronte shtetin dhe do ta siguronte vendin e tyre në histori. Pastaj pikërisht ajo marrëdhënie u përdor si levë.
Mesazhi ishte i thjeshtë. Nëse Kosova nuk e krijonte vetë gjykatën, ajo do të krijohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Atje do të hynin Rusia dhe Serbia. Kosova do ta humbiste edhe kontrollin formal. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë kryesore evropiane do të dëmtoheshin.
Deputetëve nuk iu kërkua ta votonin gjykatën sepse ishin bindur për modelin e saj juridik. U kërkua ta votonin nga frika e alternativës.
Kjo nuk ishte zgjedhje sovrane.
Ishte dorëzim nën kërcënimin e izolimit.
Kosova e lodhur nga krizat. Kur erdhi votimi i vitit 2015, Kosova ishte e dobët dhe e përçarë.
Marrëveshja për Asociacionin dhe demarkacioni me Malin e Zi krijuan një krizë që e paralizoi vendin.
Kuvendi u mbush me gaz lotsjellës. Një grup terrorist gjuajti ndërtesën e Kuvendit dhe Presidencën me minahedhës dhe opozita doli në rrugë. Institucionet humbën energjinë politike dhe besimin publik.
Gjykata dhe ndryshimet kushtetuese kaluan në këtë atmosferë. Jo si projekt i një shteti të sigurt në vetvete, por si kërkesë ndërkombëtare që duhej përmbushur ndërsa vendi ishte i zënë duke luftuar me vetveten.
Pjesa më e madhe e shoqërisë civile e mbështeti.
Shumë gazetarë, analistë dhe organizata e paraqitën si provë të pjekurisë shtetërore.
Argumenti përsëritej deri në lodhje. Nëse jemi të pafajshëm, pse duhet të kemi frikë nga gjykata?
Por shtetet nuk gjykohen vetëm nga pafajësia e njerëzve të tyre, por gjykohen edhe nga mekanizmat që pranojnë, nga kompetencat që dorëzojnë dhe nga historia që lejojnë të shkruhet në emrin e tyre.
Kosova nuk fitoi asgjë të prekshme për këtë dorëzim. Nuk mori njohje të reja si shpërblim. Nuk mori anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
Nuk mori as garanci se Serbia do të përballej me një standard të njëjtë për mijëra të vrarë, të zhdukur, të dhunuar dhe të dëbuar.
Kosova e dha gjykatën. Perëndimi mori bindjen e Kosovës.
Nata e thikës pas shpine
Në dhjetor të vitit 2017 pati një përpjekje për ta shfuqizuar ligjin. Atëherë u pa qartë se sa vullnetare kishte qenë krijimi i gjykatës.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë u vunë në ballë të presionit.
Përpjekja për shfuqizim u quajt tradhti dhe thikë pas shpine ndaj aleatëve perëndimorë.
U paralajmërua izolim. U përmend dëmtimi i marrëdhënieve. U la të kuptohej se Kosova mund ta humbiste mbështetjen që e kishte sjellë deri te pavarësia.
Në atë moment, debati juridik mbaroi.
Mbeti vetëm fuqia perëndimore.
Një shteti të vogël si Kosova iu tha se kishte të drejtë ta ndryshonte ligjin e vet, por se do të ndëshkohej nëse e përdorte atë të drejtë.
Kosova u tërhoq. Dhe përsëri nuk fitoi asgjë.
Në shkurt të vitit 2018, sipas informacioneve që qarkullonin në nivelet më të larta politike dhe që më ishin përcjellë edhe mua, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin paralajmëruar se do të përballeshin me aktakuza dhe paraburgim.
Ky informacion nuk u bë publik si vendim zyrtar, por ai tregon se drejtimi i procesit ishte kuptuar shumë më herët se viti 2020.
Ajo që publiku do ta mësonte më vonë, politika e lartë e ndiente prej kohësh.
Fundi i iluzionit
Në qershor të vitit 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi njoftimin për aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Publikimi ndodhi kur Thaçi ishte rrugës për në Uashington. Ishte momenti kur përfundoi iluzioni se bashkëpunimi politik me Perëndimin do të siguronte trajtim politik nga Perëndimi.
Në nëntor aktakuza u konfirmua.
Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit. Bashkë me Veselin, Krasniqin dhe Selimin u dërgua në paraburgim në Hagë.
Pasuan gati gjashtë vjet burgim, proces dhe pritje.
Pastaj erdhi 16 shtatori 2026.
Gjykata i shpalli fajtorë të katër. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg. Kadri Veseli me 18 vjet. Rexhep Selimi me 13 vjet.
Dhe këtu ndodhet paradoksi më i madh i aktgjykimit.
Gjykata rrëzoi gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse prokuroria nuk provoi se kishte pasur sulm të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Ra teza më e madhe për një fushatë të organizuar kundër civilëve. Megjithatë, mbeti ndërmarrja e përbashkët kriminale.
Juridikisht, kjo mund të shpjegohet me dallimin ndërmjet elementeve të krimeve kundër njerëzimit dhe mënyrës së përgjegjësisë për krimet e luftës.
Politikisht, paradoksi është shkatërrues. Gjykata tha se nuk u provua sulmi i gjerë ose sistematik.
Pastaj ndërtoi një plan të përbashkët kriminal që shtrihej mbi territore, struktura, qendra ndalimi dhe drejtues politikë e ushtarakë.
Ra krimi kundër njerëzimit. Mbeti rrëfimi për një ndërmarrje kriminale.
U hoq etiketa juridike më e rëndë, por u ruajt përshkrimi politik më poshtërues.
Pikërisht këtu gjykata e tejkaloi detyrën e saj.
Ajo nuk u mjaftua me përcaktimin e përgjegjësisë individuale për ngjarje konkrete.
Ndërtoi një rrëfim të përgjithshëm për mënyrën se si ishte organizuar dhe drejtuar lufta.
Prandaj vendimi mund të jetë juridikisht kundër katër njerëzve, por politikisht ka goditur një ndërmarrje të përbashkët çlirimtare.
Çfarë duhet apeluar
Apeli nuk duhet të jetë një britmë politike e shkruar me gjuhë juridike.
Duhet të jetë goditje e saktë ndaj themeleve të aktgjykimit.
Duhet kundërshtuar mënyra se si gjykata ka nxjerrë një plan të përbashkët kriminal nga struktura të paqarta, nga autoriteti politik dhe nga rrethanat e një lufte guerile.
Duhet sfiduar lidhja individuale ndërmjet secilit të dënuar dhe çdo krimi konkret.
Duhet shqyrtuar nëse gjykata e ka zëvendësuar provën e urdhrit, dijenisë dhe kontributit me pozitën politike që secili mbante.
Duhet goditur besueshmëria e dëshmive, mënyra e përdorimit të tyre dhe përfundimet e ndërtuara mbi dëshmi indirekte.
Duhet kundërshtuar shtrirja gjeografike dhe kohore e planit të pretenduar.
Duhet apeluar proporcionaliteti i dënimeve dhe mënyra se si paraburgimi gati gjashtëvjeçar është shndërruar në pjesë të një ndëshkimi që ka filluar shumë përpara aktgjykimit.
Mbi të gjitha, duhet ndarë krimi individual nga vetë lufta.
Asnjë apel serioz nuk duhet t’i mohojë viktimat.
Por, asnjë drejtësi serioze nuk mund ta përdorë ekzistencën e viktimave për ta zëvendësuar provën kundër një të akuzuari të caktuar.
Kosova dhe Shqipëria nuk mund të ndërhyjnë në procesin gjyqësor.
Nuk mund t’u shkruajnë gjyqtarëve se çfarë vendimi duhet të marrin. Dhe as të propozohen dhe as të flitet për zhbërjen e gjykatës dhe as amnistinë me një vendim të presidentit. Shumë vonë. Kur është dashur të zhbëhet të gjithë, ama të gjithë kanë qenë kundër.
Ka edhe një arsye juridike pse Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet tani. Shfuqizimi i saj nuk do t’i anulonte aktgjykimet dhe as vitet e burgut, sepse nuk do të vepronte prapa mbi vendimet tashmë të shqiptuara. Përkundrazi, rreziku do të ishte që mbrojtjes t’i vështirësohej ose t’i pamundësohej rruga e apelimit, e vetmja rrugë që mund ta rrëzojë fajësinë ose t’i ndryshojë dënimet.
Po aq i gabuar është pretendimi se presidenti i Kosovës mund t’i falë të dënuarit. Vendimet e Dhomave të Specializuara nuk i nënshtrohen faljes presidenciale apo amnistisë së Kosovës. Për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk ekziston shpëtim politik përmes një dekreti. Prandaj gjykata nuk duhet mbrojtur për shkak të aktgjykimit të saj, por duhet mbajtur funksionale derisa të dënuarit ta përdorin deri në fund të drejtën e apelimit.
Mirëpo ato kanë të drejtë dhe detyrim ta kundërshtojnë pasojën politike dhe historike të këtij rrëfimi.
Dy kuvendet duhet të miratojnë një rezolutë të përbashkët. Ajo nuk duhet ta shpallë gjykatën të pavlefshme dhe as ta paragjykojë apelin.
Duhet të pohojë qartë se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare kundër një regjimi që kreu vrasje masive, dëbime, dhunime dhe spastrim etnik.
Duhet të kërkojë që përgjegjësia penale të mbetet individuale dhe që asnjë vendim të mos përdoret për ta kriminalizuar UÇK-në, ndërhyrjen e NATO-s apo të drejtën e Kosovës për liri.
Duhet të dokumentojë se akuza për trafikim organesh, e cila shërbeu si detonator moral për krijimin e gjykatës, nuk u bë pjesë e procesit përfundimtar.
Dhe duhet të kërkojë një shqyrtim politik ndërkombëtar të mënyrës se si u krijua kjo gjykatë, të presionit që iu bë Kosovës dhe të pabarazisë historike që prodhoi.
Shkrimi që do të doja të kishte gabuar
Dymbëdhjetë vjet më parë shkrova se ky tribunal do ta zhvendoste Kosovën nga pozita e viktimës në pozitën e të akuzuarës.
Sot gjykata thotë se ka dënuar vetëm katër individë. Por fjala “vetëm” nuk qëndron.
Kur katër drejtuesit kryesorë politikë dhe ushtarakë të një lufte përshkruhen si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, aktgjykimi nuk mbetet më brenda biografive të tyre.
Ai hyn në historinë e luftës. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton të presim apelin.
Duhet apeluar vendimi, por duhet mbrojtur edhe historia. Duhet të respektohen viktimat, por duhet kundërshtuar përdorimi i tyre për të ndërtuar faj kolektiv.
Duhet të kërkohet drejtësi për çdo krim, por duhet refuzuar drejtësia që e përdor krimin individual për ta rishkruar një luftë çlirimtare.
Historia filloi me një disk në një dhomë të errët. Vazhdoi me një njeri që bërtiste në shesh, me një akuzë për trafikim organesh, me një raport ndërkombëtar dhe me një gjykatë të imponuar nën kërcënimin e izolimit.
Pastaj akuza për organet u zhduk. Krimet kundër njerëzimit ranë.
Ndërmarrja e përbashkët kriminale mbeti.
Prandaj duhet bërë apeli. Jo vetëm për vitet e burgut, por për kufirin ndërmjet drejtësisë dhe rishkrimit të historisë.
(Marrë nga Albanian Post)


