Policia malazeze ka njoftuar se ka gjetur 13.5 tonë duhan, disa makina për përpunimin e tij, si dhe lëndë të parë për paketimin e cigareve në një magazinë të ndërtuar ilegalisht në zonën e Grbes, pranë Danillovgradit.
Magazina ndodhet në tokën në pronësi të një banori të Nikshiqit, Aleksandar Mrkiq, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale, pastrim parash dhe kontrabandë, njoftoi Drejtoria e Policisë.
Mrkiqi, i cili është në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, prej më shumë se një dekade njihet si një figurë e rëndësishme e të ashtuquajturit “klani i Mojkovacit”, raportoi mëngjesin e sotëm gazeta Vijesti.
Policia ka kaluar dy ditë duke inventarizuar duhanin, makineritë dhe pajisjet e tjera të gjetura.
Për shkak të pajisjeve të sekuestruara, hetuesit dyshojnë se objektet nuk janë përdorur vetëm si magazina, por se aty duhani përpunohej, paketohej dhe përgatitej për prodhimin e cigareve të destinuara për tregun e paligjshëm.






