Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani po përgatiten për një takim urgjent në nivel të lartë, në përpjekje për të koordinuar mbështetjen ndaj Riadit, pas përshkallëzimit të sulmeve të rebelëve Huthi nga Jemeni. Ministrat e Jashtëm të 3 vendeve u takuan në kuadër të marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes së Mekës.
Në fokus ishte organizimi i një takimi të shefave të shtabeve të ushtrive, ku pritet të diskutohen masat për mbështetjen e Arabisë Saudite. Sipas autoriteteve saudite, marrëveshja parashikon që një sulm ndaj njërit prej vendeve anëtare të konsiderohet sulm ndaj të gjitha palëve. Tensionet u rritën pas sulmeve të reja të Huthive. Grupi deklaroi se ka lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt objektivave saudite, ndërsa Riadi njoftoi se ka interceptuar gjashtë raketa balistike.
Alarmet e emergjencës u aktivizuan në disa zona të rëndësishme, përfshirë Mekën, Xhedan dhe Yanbun, portin kryesor saudit të naftës në Detin e Kuq. Ndërkohë, Myftiu i Madh i Arabisë Saudite u bëri thirrje trupave të jenë të gatshme të sakrifikojnë jetën në luftën kundër Huthive, deri në largimin e tyre nga pushteti.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian deklaroi se Huthit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abas Arakçi, tha se Teherani ka paraqitur një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, në këmbim të përmbushjes së disa kushteve dhe ndalimit të luftimeve në të gjitha frontet. Këto zhvillime janë reflektuar në tregjet financiare, ku çmimet e naftës kanë shënuar rënie.


