BE “dorëzohet” për situatën në Gaza: Zgjidhja me dy shtete po rrezikohet

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se po rritet diferenca mes mbështetjes ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete dhe situatës që po zhvillohet në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Duke folur në Aleancën Globale për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, Kallas tha se mbështetja ndërkombëtare për krijimin e një shteti palestinez krahas Izraelit vazhdon të jetë e gjerë, por zhvillimet në terren nuk po ecin në të njëjtin drejtim. Sipas saj, situata në Gaza mbetet veçanërisht shqetësuese. Kallas tha se përparimi është shumë i kufizuar, ndërsa sulmet vazhdojnë dhe nevojat humanitare të popullsisë mbeten të mëdha. Ajo u shpreh kritike edhe për zhvillimet në Bregun Perëndimor, duke përmendur dhunën dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite.

Sipas Kallas, këto zhvillime po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë realizimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete. “Duhet të mbyllim hendekun mes angazhimeve, veprimeve dhe realiteteve në terren”, deklaroi Kallas.

Në fjalën e saj, zyrtarja e lartë evropiane vlerësoi gjithashtu hapat e ndërmarrë nga Autoriteti Palestinez për reforma, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat përballet. Ajo theksoi se procesi i reformave duhet të vazhdojë. Kallas bëri të ditur se Bashkimi Evropian po mbështet edhe përgatitjet për zgjedhjet legjislative palestineze. Në të njëjtën kohë, ajo tha se BE-ja po punon për forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë ekonomike në Bregun Perëndimor, si dhe për mbështetjen e përpjekjeve për rimëkëmbjen e hershme të Gazës.