Mickoski nga Nju Jorku: Integrimi në BE mbetet synim strategjik

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit në Samitin “Concordia” në Nju Jork, deklaroi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht pengesave me të cilat është përballur ndër vite.

Mickoski tha se procesi i integrimit ka shkaktuar zhgënjim te qytetarët, duke përmendur ndryshimet e mëparshme të Kushtetutës, flamurit dhe emrit të shtetit. Sipas tij, negociatat me BE-në duhet të shërbejnë për reforma institucionale dhe jo për çështje që prekin identitetin.

“Ne besojmë në vlerat evropiane dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se nga Brukseli së fundmi vijnë edhe sinjale pozitive.

Ai theksoi se vendi ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në dhe po punon për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit.

Në Nju Jork, Mickoski foli edhe për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimin në energjetikë dhe siguri, si dhe projektet infrastrukturore që lidhen me Korridoret 8 dhe 10.

Kryeministri foli gjithashtu për zhvillimet ekonomike, duke deklaruar se në tremujorin e dytë të vitit 2026 ekonomia shënoi rritje reale prej 4,3 për qind.