Komisioni Zgjedhor i Rusisë ka njoftuar se ka regjistruar më shumë se 1 mijë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës që përdoret në procesin zgjedhor parlamentar, i cili po zhvillohet në vend që nga e premtja.
Kreu i Komisionit Zgjedhor, Ella Pamfilova, deklaroi se bëhet fjalë për mbi 1 mijë sulme DDoS, të cilat synojnë të mbingarkojnë sistemet përmes një numri të madh kërkesash të njëpasnjëshme, duke shkaktuar probleme në funksionimin e tyre.
Sipas Pamfilovës, sulmet janë kryer nga grupe “shumë profesionale dhe të koordinuara mirë”, të cilat kanë përdorur edhe mjete të inteligjencës artificiale. Ajo tha se sulmet kanë ardhur kryesisht nga jashtë Rusisë.
Kreu i Komisionit Zgjedhor shtoi se janë shënjestruar edhe sistemet e telekomunikacionit në vend. Sipas saj, sulmet “mbajnë shenja të ndërhyrjes së Ukrainës”, një pretendim i bërë nga autoritetet ruse.
Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë, e dyta e votimit, Komisioni Zgjedhor kishte raportuar një “sulm kibernetik shumë të fortë” ndaj sistemit të votimit elektronik. Sipas autoriteteve, sulmi vijoi gjatë gjithë ditës.
Zgjedhjet parlamentare në Rusi po zhvillohen edhe në mënyrë elektronike në rreth 30 zona të vendit.


