Përballja e shumëpritur mes dy prej emrave më të mëdhenj britanikë të boksit duket se po afron, ndërsa tashmë po kristalizohet edhe vendi ku mund të zhvillohet. Sipas ‘The Times’, stadiumi “Principality” në Cardiff është shfaqur si kandidatura kryesore për të pritur duelin e planifikuar për fundin e nëntorit.
Çështja e stadiumit ka qenë objekt i një debati të fortë mes dy kampeve dhe organizatorëve. Joshua ka insistuar që dueli të zhvillohet në Britani, ndërsa transmetuesi Netflix dhe financuesi saudit Turki Alalshikh besohej se preferonin që përballja të zhvillohej në SHBA, me “Madison Square Garden” në Nju Jork si një nga alternativat kryesore.
Megjithatë, “Principality Stadium” duket se ka fituar terren. Sipas raportimeve, një konferencë për shtyp është planifikuar paraprakisht për javën e ardhshme, por marrëveshja varet nga miratimi i një kërkese të pazakontë.
Stadiumi aktualisht ka një kufizim për zhvillimin e eventeve deri në orën 22:30. Për të zhvilluar duelin deri në orët e para të mëngjesit, ky kufizim duhet të hiqet përkohësisht.
Propozimi ndodhet tashmë tek qeveria e Uellsit, e cila mund të marrë një vendim brenda 24 orëve. Nëse kërkesa miratohet, dueli mund të nisë deri në orën 02:00, në mënyrë që të përshtatet me audiencën ndërkombëtare.
Kjo do të ishte një sfidë edhe për rreth 80 mijë tifozët që mund të mbushin stadiumin, të cilët do të duhet të qëndrojnë zgjuar deri në orët e para të mëngjesit për të parë përballjen e shumëpritur.
Megjithatë, nuk do të ishte hera e parë që “Principality Stadium” lejon një event të tillë në orare të pazakonta. Në vitin 2007, dueli mes heroit vendas Joe Calzaghe dhe Mikkel Kessler nisi gjithashtu rreth orës 02:00.
Përveç Cardiffit, edhe “Wembley” është konsideruar si një alternativë e rëndësishme, duke pasur parasysh profilin e dy boksierëve britanikë. Por raportohet se këshilli vendor në Londër nuk pritet të bëjë përjashtim nga kufizimi i orës 23:00 për zhvillimin e eventeve.
Në këtë pikë, Cardiff duket se është në avantazh për të pritur një nga përballjet më të mëdha të boksit britanik të viteve të fundit.


