Kombëtarja e Argjentinës është përfshirë nga pasiguria dhe kaosi, ndërsa Lautaro Martinez dhe disa prej yjeve të ekipit mund të mos grumbullohen për ndeshjet e ardhshme miqësore.
Kapiteni i Interit është paraprakisht i ftuar nga Lionel Scaloni për grumbullimin e radhës, por ende nuk është e sigurt nëse emri i tij do të jetë në listën përfundimtare. Në fakt, Federata Argjentinase po shqyrton mundësinë për t’u dhënë pushim disa prej lojtarëve kryesorë, me Lautaron në krye.
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe Julian Alvarez, Cristian Romero, Emiliano Martinez, Lisandro Martinez, Alexis Mac Allister dhe Rodrigo De Paul. Ideja është që kjo periudhë pushimi të shërbejë edhe për të ulur tensionet mes federatës dhe futbollistëve.
Tek Argjentina problemet janë të shumta. Presidenti i federatës, Claudio “Chiqui” Tapia, përballet prej muajsh me një betejë ligjore dhe akuza për pastrim parash. Ndërkohë, Lionel Messi është larguar nga kombëtarja, ndërsa kontrata e Scalonit skadon në dhjetor dhe trajneri raportohet se po mendon për fundin e ciklit të tij.
Në këtë klimë, Argjentina ka planifikuar tri miqësore ndaj Burkina Fasos, Bolivisë dhe Beninit, por përballjet nuk kanë ngjallur shumë entuziazëm tek lojtarët kryesorë. Për më tepër, mbeten edhe çështje të pazgjidhura rreth shpërblimeve financiare që u detyrohen futbollistëve pas rezultateve të fundit.
Lista përfundimtare e Scalonit pritet të publikohet të hënën dhe atëherë do të mësohet nëse Lautaro do të udhëtojë apo do të qëndrojë në Milano.
Një mungesë e tij tek Argjentina do të ishte lajm i mirë për Interin. Nëse Lautaro qëndron në Milano për rreth tri javë, ai do të mund të punojë maksimalisht nën urdhrat e trajnerit Chivu dhe të përmirësojë formën fizike për betejën e dyfishtë të zikaltërve: kampionat dhe Champions League.


