KSHZ-ja përcaktoi renditjen e kandidatëve në fletën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Bërvenicës

 

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot, në një seancë publike, përmes shortit përcaktoi renditjen në fletën e votimit, përkatësisht numrin rendor me të cilin kandidatët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të caktuara për 18 tetor.

Kandidati i VMRO-DPMNE-së në pushtet, e cila udhëheq koalicionin „Maqedonia Jote”, Stojanço Radieski, do të garojë me numrin 1, ndërsa kandidati i opozitës, LSDM-së, Jovica Radeski, do të jetë me numrin 2 në fletën e votimit.

Lista e plotë e gjashtë numrave në fletën e votimit

Numri Koalicioni / Grupi i zgjedhësve Kandidati
1 Koalicioni „Maqedonia Jote” – VMRO-DPMNE Stojanço Radieski
2 Koalicioni i udhëhequr nga LSDM Jovica Radeski
3 Grupi i zgjedhësve Dushan Bogdanovski
4 Koalicioni VLEN Jakup Useini
5 Grupi i zgjedhësve Arife Idrizi
6 Aleanca Kombëtare për Integrim (NAI) Arkin Jahiji

Pas hedhjes së shortit, do të përpilohet procesverbali për zhvillimin e shortit dhe përcaktimin e renditjes së listave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, njoftoi se lista unike e përcaktuar e kandidatëve do të shpallet nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në të gjitha vendbanimet dhe qendrat e votimit në komunë, jo më vonë se 23 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, në përputhje me nenin 69, paragrafi 4.

Mariçiq njoftoi gjithashtu se deri më 23 shtator 2026, KSHZ-ja nuk kishte pranuar asnjë ofertë nga komunat, Qyteti i Shkupit apo personat juridikë që menaxhojnë hapësira reklamuese dhe billborde për lokacione të destinuara për reklamim politik gjatë zgjedhjeve të parakohshme në Komunën e Bërvenicës.

Për shkak se nuk janë dorëzuar oferta dhe lokacione për billborde, KSHZ-ja nuk do të zhvillojë short për shpërndarjen e tyre për reklamim politik.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës janë shpallur nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për datën 18 tetor 2026. Ato do të mbahen pas vdekjes së kryetarit të komunës, Ivica Ilievski, i cili ndërroi jetë më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare.