Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kenan Ferati, së bashku me Prof. Dr. Arbëresha Bexheti-Ferati, mori pjesë në Kongresin e 8-të Ndërkombëtar, të zhvilluar në Universitetin “Aldo Moro” në Bari të Italisë.
Kongresi mblodhi studiues, hulumtues dhe profesorë universitarë nga institucione prestigjioze akademike të vendeve të ndryshme të botës, duke ofruar një platformë për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe rezultateve të reja shkencore.
Në kuadër të ceremonisë solemne të hapjes, Ferati mbajti fjalë përshëndetëse, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar, ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojave profesionale.
Në programin shkencor të Kongresit, Prof. Dr. Kenan Ferati prezantoi edhe punimin e tij shkencor me temë “Menaxhimi i nofullave të atrofuara: augmentimi kockor kundrejt implanteve zygomatike dhe implanteve pterygoide”.
Punimi trajton një çështje me rëndësi të veçantë në fushën e stomatologjisë bashkëkohore, duke krahasuar qasjet terapeutike për menaxhimin e nofullave të atrofuara. Tema, sipas Feratit, ngjalli interes tek pjesëmarrësit për shkak të rëndësisë dhe aplikimit të saj të drejtpërdrejtë klinik.
Gjatë Kongresit u prezantuan gjithashtu zhvillime dhe rezultate të reja në disa fusha të stomatologjisë, përfshirë Periodontologjinë, Kirurgjinë Orale, Kirurgjinë Maksilofaciale dhe Ortodoncinë, si dhe përdorimin e faktorëve të rritjes dhe protokolleve të reja eksperimentale.
Një moment i veçantë për Feratin ishte edhe dekorata e mirënjohjes e akorduar nga Qyteti i Barit për bashkëpunimin me Universitetin “Aldo Moro”. Vlerësimi iu dorëzua në emër të qytetit nga kryetari Vito Leccese.
Ferati e cilësoi këtë vlerësim si një motivim për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit akademik e shkencor ndërkombëtar, ndërsa theksoi se partneritetet ndërmjet universiteteve dhe qendrave kërkimore janë të rëndësishme për zhvillimin e shkencës dhe krijimin e mundësive të reja për gjeneratat e reja të studiuesve.
Në fund, Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës shprehu mirënjohje për Prof. Dr. Francesco Inchingolo, President i Kongresit, për ftesën dhe kontributin e tij ndër vite në zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe profesionistëve të fushës në nivel ndërkombëtar.
Pjesëmarrja në këtë Kongres paraqet një tjetër mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës dhe promovimin e punës shkencore të stafit të tij akademik.


