Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska hapi Shkollën Verore të Qendrës së Përbashkët Kërkimore (JRC) të Komisionit Evropian, e cila do të mbahet nga sot deri më 18 shtator në Universitetin “Goce Delçev” në Shtip dhe do të trajtojë tema kyçe që lidhen me vlerësimin e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit, të rëndësishme për zbatimin e Agjendës së Gjelbër Evropiane.
“Për Maqedoninë, si një ekonomi në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo shkollë është një mundësi për të forcuar kapacitetet dhe një konfirmim i qartë se jemi të gatshëm të jemi një partner serioz evropian që kontribuon në mënyrë aktive në qëllimet e përbashkëta dhe ndërton të ardhmen e saj mbi vlerat evropiane”, tha ministrja Janevska, duke shtuar se pjesëmarrësit, përfshirë studentë të avancuar,doktorant dhe studiues të rinj, do të kenë një mundësi të rrallë për t’u njohur me mjetet kërkimore, për të shkëmbyer njohuri dhe për të zgjeruar kontaktet me kolegët nga Ballkani Perëndimor.
Pjesëmarrësit e Shkollës Verore që vijnë nga vendi dhe nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia do të jenë në gjendje të mësojnë drejtpërdrejt nga shkencëtarë dhe ekspertë të Qendrës së Përbashkët Kërkimore se si të përdorin mjetet e JRC për vlerësimin e emisioneve dhe ndikimeve, do të njihen me metoda inovative për përmirësimin e cilësisë së ujit dhe shëndetit të tokës, dhe do të fitojnë njohuri mbi teknikat e përparuara të matjes.
“Ndotja e ujit, tokës dhe ajrit janë rreziqet më të mëdha për shëndetin e të gjithëve ne në Evropë. Dhe duket se ka kaluar koha kur pyesnim veten nëse qeveritë do të ndërmerrnin hapa seriozë për ndryshim. Tani, përballemi me një ultimatum të qartë: ose veprojmë me vendosmëri, ose do ta rrezikojmë seriozisht të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi Janevska.


