Izraeli kërcënon drejtuesit e Hamasit jashtë Gazës: Janë në shënjestër, nuk do të vdesin në paqe

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar se operacionet kundër drejtuesve të Hamasit mund të shtrihen edhe jashtë Rripit të Gazës, ndërsa sulmet izraelite në territor vijojnë.

Katz deklaroi se në shënjestër të Izraelit janë edhe drejtuesit e Hamasit që ndodhen jashtë Gazës, duke i lidhur kërcënimet e tij me sulmin e 7 tetorit 2023 në Izrael.

“Udhëheqësit e Hamasit jashtë vendit janë gjithashtu në shënjestër. Asnjë nga këta vrasës të neveritshëm, të cilët luajtën një rol qendror në masakrën e 7 tetorit, nuk duhet të vdesë në paqe në shtretërit e tyre”, tha Katz në një mesazh.

Deklarata vjen ndërsa forcat izraelite vijojnë operacionet e tyre në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, sipas burimeve izraelite dhe palestineze, kreu i krahut të armatosur të Hamasit në veri të Rripit të Gazës, Izz al-Din al-Baq, u vra gjatë një sulmi izraelit ndaj një ndërtese banimi në lagjen Nasr të qytetit të Gazës.