Irani vendos 5 kushte për rikthimin në tavolinën e negociatave me SHBA-në!

Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara kushtet e tij për rikthimin e diplomacisë, pas kontakteve mes dy palëve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha të mërkurën se Teherani ia përcolli Uashingtonit qëndrimet e tij gjatë një procesi që zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua përmes një ndërmjetësi. Reuters raportoi se ndërmjetësimin e bëri Katari.

“Në këtë proces, i cili zgjati afërsisht dy orë, palës amerikane iu përcollën qëndrimet dhe kushtet e Iranit për ringjalljen e diplomacisë në një mënyrë që nuk lë dyshime ose paqartësi dhe nuk ofron justifikime apo pretekste për asnjë palë”, shkroi zëdhënësi Esmaeil Baghaei në X.

Ai theksoi se kushtet e Iranit janë të qarta dhe transparente dhe përfshijnë një fund të veprimeve “agresive” të SHBA-së.

Mes tyre përfshihen përfundimi i veprimeve që Irani i cilëson si agresive nga SHBA-ja, heqja e bllokadës detare dhe e presionit ekonomik amerikan, lirimi i aseteve iraniane të ngrira ose të kufizuara dhe përfundimi i luftës në të gjitha frontet. Teherani kërkon gjithashtu pranimin e një rruge të sigurt lundrimi në Ngushticën e Hormuzit, për të cilën thotë se është arritur mirëkuptim mes Iranit dhe Omanit.

5 kushtet e Iranit:

-Heqja bllokadës detare amerikane

-Fundi i terrorizmit ekonomik

-Fundi i luftës në të gjitha frontet

-Lirimi i aseteve të ngrira ose të kufizuara të Iranit

-Pranimi i një rruge të sigurt transporti detar në Ngushticën e Hormuzit, për të cilën është rënë dakord midis Iranit dhe Omanit.