Operacionet pas orës 15:00, në sallat e spitaleve shtetërore, për të cilat mjekët u kërkojnë pacientëve pagesë si shërbim “privat”, me marrëveshje me pacientin sepse ai nuk mund të presë përmes sistemit “Termini Im”, sërish u vunë në pikëpyetje para Gjykatës Kushtetuese.
Parashtruesi i iniciativës, Darko Todorovski, i cili kundërshton disa nene të Ligjit për Shëndetësi, konsideron se në këtë mënyrë cenohet sundimi i ligjit, pasi krijohet konflikt interesi. Sipas tij, është kontestuese që mjekëve t’u lejohet të kryejnë veprimtari shtesë në institucionin shëndetësor publik ku janë të punësuar ose në një institucion tjetër.
Në këtë mënyrë, mjekut i mundësohet të përdorë të njëjtat ambiente, pajisjet mjekësore dhe personelin ndihmës, ndërsa njëkohësisht të kryejë veprimtari private për të realizuar përfitim personal, ka shkruar Todorovski në iniciativën e tij, e cila para gjyqtarëve kushtetues u lexua nga gjyqtari raportues Fatmir Skender.
Megjithatë, Gjykata e hodhi poshtë njëzëri iniciativën, pasi për këtë çështje kishte vendosur edhe më parë, në vitin 2013, duke konstatuar se mjekët kryenin operacione private në përputhje me ligjin.
“Veprimtaria shtesë është e rregulluar me ligj, me qëllim që të mos cenohet interesi publik dhe kjo nuk paraqet problem kushtetues”, tha gjyqtari Skender në seancë.
Ndryshe, iniciativa e Todorovskit ishte shqyrtuar edhe në një seancë të Qeverisë në muajin prill, e cila më pas ia kishte përcjellë Gjykatës Kushtetuese për vlerësim. Në Qeveri kishin konstatuar se ligji do të ndryshohet.
“Duke pasur parasysh se kjo çështje ka të bëjë me organizimin e veprimtarisë shëndetësore dhe me qëllim që çështja e veprimtarisë shtesë të rregullohet në mënyrë më të mirë, Ministria e Shëndetësisë është në proces të rishqyrtimit të dispozitave ekzistuese të Ligjit për Shëndetësi dhe përgatitjes së ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Shëndetësi, me të cilat do të përfshihen dispozitat që rregullojnë kryerjen e veprimtarisë shtesë në institucionet shëndetësore”, thuhej në përfundimin e Qeverisë para disa muajsh, kur ministër aktual ishte Azir Aliu.
“Veprimtaria shtesë” e kontestuar nuk nënkupton vetëm mundësinë që mjeku të fitojë të ardhura shtesë pas orarit të punës. Ligji përcakton në mënyrë të detajuar se ku mund ta ushtrojë atë, si miratohet, çfarë kontrate nënshkruan, kur duhet ta njoftojë drejtorin, si kontrollohet dhe ku përfundojnë mjetet financiare.
Për institucionin publik ekziston një llogari e veçantë me destinim të caktuar, ndërsa shërbimi në një institucion privat paguhet tërësisht nga pacienti.
Kështu, një nënë nga një fshat i Shkupit rrëfen për gazetën “Veçer” se kishte pranuar që djalit të saj nëntëvjeçar t’i bëhej synet si shërbim privat, pasi nuk mund të prisnin në listën e gjatë për operacione.
“Ndërhyrjen e bënë në Spitalin e Qytetit për Kirurgji. Si shërbim shtetëror kushtonte rreth 600 denarë, por nuk mund të prisnim për shkak të ceremonisë së planifikuar. Na propozuan që ndërhyrja të bëhej pas orarit të punës, ne pranuam dhe paguam dhjetëfish më shumë”, tregon gruaja.
Në opinion vazhdimisht shtrohet pyetja: Si kontrollon shteti nëse listat e gjata të pritjes dhe terminët e kufizuar në klinikat publike mund të shndërrohen në treg për operacione private?
Sipas një rregulloreje të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, çdo muaj duhet të përcaktohet se cilët janë mjekët dhe sa operacione kryhen pas orarit të punës, “si shërbim privat”. Drejtori duhet ta publikojë këtë raport në një vend të dukshëm në institucionin shëndetësor.
Dy ministrat e fundit të Shëndetësisë, Arben Taravari dhe Azir Aliu, kanë deklaruar publikisht se tek ata kanë mbërritur denoncime për keqpërdorim të veprimtarisë shtesë, veçanërisht në degët kirurgjikale.
Pacientë të sëmurë rëndë nga kanceri, në vend që të operoheshin në termin e rregullt, merrnin ofertë për një operacion më të shpejtë brenda dy ose tri ditësh, pasdite, por me pagesë private, kishte bërë të ditur atëherë ministri Taravari.
Nga organizata joqeveritare ESE, e cila hulumton format e korrupsionit në shëndetësinë publike, për gazetën “Veçer” thonë se veprimtaria shtesë në vetvete nuk është domosdoshmërisht problem, por se mund të funksionojë në mënyrë të përshtatshme vetëm në një sistem të rregulluar mirë dhe të kontrolluar rreptësisht.
“Parakusht kyç është transparenca e plotë e listave të pritjes për operacione, procedura diagnostikuese dhe shërbime të tjera shëndetësore. Pacientët duhet ta dinë qartë se sa do të presin realisht për një shërbim të caktuar në kuadër të sistemit të rregullt publik dhe në cilin pozicion ndodhen në listën e pritjes. Nëse këto informacione nuk janë të disponueshme, krijohet hapësirë që pacienti të bindet se duhet të presë shumë gjatë për shërbimin në sistemin e rregullt, ndërsa të njëjtin shërbim mund ta marrë shpejt përmes veprimtarisë shtesë – pa pasur mundësi vetë të verifikojë nëse kjo është vërtet kështu”, thonë nga ESE.
Nga atje paralajmërojnë se rrezik i ngjashëm ekziston edhe kur nuk ka termine të disponueshme për kontrolle specialistike, pasi pacienti mund të vihet në situatë të mendojë se e vetmja mënyrë për të arritur në kohë te i njëjti mjek është përmes një termini me pagesë në kuadër të veprimtarisë shtesë.
“Është veçanërisht e rëndësishme të mos krijohet një sistem në të cilin punonjësi shëndetësor ose institucioni ka interes financiar që pacienti të mos e marrë shërbimin në kohë në sistemin e rregullt publik”, theksojnë nga ESE.


