Greva godet Zagrebin, dy ditë pa transport dhe pa grumbullim të mbeturinave

Greva e punonjësve të Tramvajit Elektrik të Zagrebit (ZET) dhe “Zagreb Holding”-ut çoi në ndërprerjen e plotë të transportit publik dhe në ndërprerjen në shkallë të gjerë të grumbullimit të mbeturinave në kryeqytetin kroat, raporton Anadolu.

Punonjësit e Tramvajit Elektrik të Zagrebit (ZET) hynë në grevë të hënën në orën 03:30 të mëngjesit, gjë që çoi në pezullimin e transportit publik me tramvaj dhe autobus në kryeqytetin dhe qytetin më të madh kroat.

Për shkak të grevës, tramvajet dhe autobusët e ZET-it nuk qarkullojnë në Zagreb ndërsa në rrugët e qytetit dhe në stacionet e autobusëve vërehen turma njerëzish si pasojë e pezullimit të transportit publik.

Greva u organizua nga sindikatat e punonjësve të ZET-it si dhe nga përfaqësuesit sindikalë të punonjësve të ndërmarrjes “Pastrimi”, e cila, nga ana e saj, kryen grumbullimin minimal të domosdoshëm të mbeturinave para spitaleve, kopshteve etj.

Detajet e kërkesave të tyre dhe rrjedha e mëtejshme e pezullimit varen nga negociatat midis përfaqësuesve të punëtorëve dhe institucioneve kompetente ndërsa aktualisht gjykata kompetente po vendos nëse greva është e ligjshme apo jo.

Përfaqësuesit e sindikatës kërkojnë rritje page, edhe pse paga mesatare e një shoferi të ZET-it është 1.992 euro, ndërsa punonjësit në ndërmarrjen “Pastrimi” kanë një pagë mesatare prej 1.651 eurosh.

Janë shmangur ndërprerjet e mëdha të trafikut sepse qytetarët u organizuan – si me iniciativën e tyre, ashtu edhe në përgjigje të thirrjes së kryetarit të bashkisë.

Vetëm dy tramvaje dhe një autobus janë në qarkullim në qytet gjatë grevës.