Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë, në të cilin ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, ndërsa po ashtu zgjedhjen e qeverisë e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën, por ka përcaktuar se Kuvendi ka kohë deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri, ndryshe vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Në të njëjtin aktgjykim, gjykata ka arsyetuar se Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë funksionimin edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në këtë rast PDK-së, ndonëse ka konstatuar se kjo pozitë duhet të plotësohet sa më parë, gjë që ndodhi gjatë ditës së djeshme kur Kuvendi miratoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese sqaron se tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka pasoja juridike, sepse ndikon drejtpërdrejt në rrjedhjen e afateve për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverisë.
Tutje, Kushtetuesja ka thënë se vendi shkon automatikisht në zgjedhje, brenda 45 ditëve, nëse presidenti nuk zgjidhet më 6 tetor.
Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 7 qershor të këtij viti pikërisht në mungesë të një kandidati për president i cili do të gëzonte shumicën e nevojshme parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) u dakorduan ta votojnë Bekim Sejdiun për president të ri të vendit, mirëpo gjashtë deputetë të LDK-së hoqën dorë në mbështetje të këtij kandidati dhe më pas Sejdiu u tërhoq nga kandidimi.
LVV-ja nuk mund ta votojë e vetme presidentin e ri, pasi për të nevojiten 80 vota ose 61 vota por me prezencë të 80 deputetëve në sallë në rundin e tretë.
Ditëve të fundit është përfolur se mund të lind një marrëveshje e re për presidentin midis LVV-së dhe PDK-së, pasi kjo e fundit mund ta përkrah një kandidat konsensual për president me kushtin që LVV-ja të përkrahë ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.


